Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot në seancë plenare Kodin e Sjelljes Etike për deputetët, një dokument që synon të forcojë standardet e integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë në punën parlamentare.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili ishte edhe propozues i këtij dokumenti. Ai theksoi se Kodi është hartuar përmes një procesi të gjatë dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe opozitën.
Sipas Gashit, miratimi i Kodit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një Kuvendi më transparent, më të përgjegjshëm dhe më dinjitoz, duke vendosur standarde më të larta për sjelljen e deputetëve, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e integritetit institucional.
Ai falënderoi deputetët që kontribuuan në finalizimin e procesit, duke vlerësuar se ky bashkëpunim dëshmon se dinjiteti i institucionit dhe respekti ndaj qytetarëve duhet të jenë mbi interesat partiake dhe dallimet politike.
Kryetari i Kuvendit shprehu gjithashtu mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë që mbështetën procesin, veçanërisht Programin Zviceran për Mbështetje Parlamentare dhe Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), të cilët kontribuuan me ekspertizën dhe përvojën e tyre në nxitjen e dialogut ndërpartiak dhe hartimin e dokumentit.
Miratimi i Kodit të Sjelljes Etike konsiderohet një hap i rëndësishëm në përpjekjet për forcimin e kulturës demokratike dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionin ligjvënës.


