Policia shqiptare ka arrestuar edhe Gjon Shkambin, xhaxhain e autorit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja.
Gjithashtu, në pranga ka rënë edhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit.
Autori, Elvis Shkambi, qëlloi pas shpalljes së vendimit për një konflikt pronësie, duke plagosur edhe dy persona të tjerë. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë në gjykata, pasi arma u fut pa u kontrolluar për shkak të mosfunksionimit të skanerit metalik.
Akti i rëndë ndodhi pasi gjyqtari i ndjerë Kalaja dha vendimin kundër palës humbëse. Arma u shkrep në korridorin pranë sallës së gjyqit.
Autori i ngjarjes, Elvis Shkambi, 30 vjeç nga Shkodra, ndodhej në sallën e gjyqit së bashku me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi. Ai nxori nga brezi pistoletën dhe qëlloi tre herë drejt gjyqtarit Kalaja, duke plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, me të cilët kishte qenë në konflikt pronësie.
Fatmirësisht, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, shkruan a2cnn. Ndërkohë, xhaxhai i autorit është marrë në pyetje nga policia.
Efektivët e policisë shoqëruan punonjësin e sigurisë, i cili duhet të kishte parandaluar një akt të tillë.