07 September
VMRO-DPMNE-ja ka akuzuar LSDM-në për kontroll dhe përdorimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për qëllime partiake dhe interesa të veta. Partia e Nikolla Gruevskit vlerëson se me këtë LSDM-ja po e përzien shtetin me partinë, ndërsa po keqpërdor policinë dhe buxhetin shtetëror për t’i fituar zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Deklarata e këtillë e përfaqësuesve të VMRO-së vjen një ditë pas paralajmërimeve të kryeministrit Zaev se zgjedhjet e tetorit do të kalojnë të qeta dhe pa keqpërdorime të resurseve shtetërore nga pushtetarët.
Për çfarë zgjedhje të lira dhe korrekte flet Zaevi, kur mban konferencë për shtyp me Zhbogarin për zgjedhje demokratike, kur në shtabet e partisë së tij flitet për përdorimin e policisë për zgjedhjet. Përveç policisë LSD mendon se në këto zgjedhje do të përdorë buxhetin shtetëror për qëllime partiake,për të korruptuar votues,për të ushtruar presion ndaj votuesve përmes ndihmës sociale, subvencioneve për bujqit, pagat dhe kërcënime për heqje nga puna – tha Spiro Ristovski ,VMRO-DPMNE.
Alsat-M

