VMRO-DPMNE-ја akuzon Qeverinë se për më pak se dy muaj ka futur shtetin në borxh për rreth 70 milionë euro dhe se me ribalancin e Buxhetit parashikohet rritje e huamarrjes për 150 milionë euro më shumë se sa ishte planifikuar. VMRO-ja thekson se ministri Dragan Tevdovski vetëm në disa ditë ka krijuar borxh të ri prej 4.5 miliardë denarë vetëm në bazë të ankandeve të letrave me vlerë. VMRO-DPMNЕ pyet LSDM-së se ku planifikon t’i harxhojë paratë e marra hua.
VMRO-DPMNE
“Qeveria e LSDM-së çdo ditë po i fut në borxh qytetarët për 1.7 milion euro. Prej se LSDM erdhi në Qeveri, borxhet e Maqedonisë filluan të rriten me shpejtësi. Tevdovski për vetëm disa ditë arriti të krijojë borxh prej 4.5 miliardë denarësh në formë ankandesh dhe fletëobligacionesh. Qytetarët e pyesin LSDM-në se a do t’i përmbush premtimet për rrogë minimale prej 16 mijë denarësh dhe mesatare prej 30 mijë denarësh, rrogë prej 100 mijë denarësh për mjekët, me këto para”
Ka reaguar LSDM-ja, e cila thotë se ribalanci i Buxhetit bëhet me shkurtimin e shpenzimeve joproduktive për reklama dhe prezantime dhe paratë do të destinohen për përmirësimin e kualitetit të jetës. Nga kjo parti thonë se nuk do të harxhojnë sikurse qeverisja e mëparshme që e quajti kriminale dhe të papërgjegjshme.
LSDM
“Qeveria e kryesuar nga LSDM po i zvogëlon borxhet dhe paratë po i destinon kah qytetarët. Për një muaj, Qeveria arriti të bëjë ribalancim të buxhetit me çka shkurtohen harxhimet për luks, reklama dhe reprezentim. Më shumë para janë orientuar kah qytetarët duke ua rritur rrogën minimale, duke shfuqizuar taksën radiodifuzive dhe duke dhënë mbështetje për ndërmarrjet vendore”
LSDM-ja thotë se qeverisja e tyre e ka racionalizuar harxhimin dhe kjo do të ulë borxhin e shtetit në mënyrë të konsiderueshme dhe kështu paratë do të kthehen tek qytetarët dhe do t’u përmirësohet standardi.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

