Pesë ministri, së bashku me institucione partnere, organizata joqeveritare dhe anëtarë të Grupit Kombëtar të Punës për Parandalimin e Dhunës tek të Rinjtë, nënshkruan sot një Deklaratë me të cilën zotohen për bashkëpunim më intensiv në parandalimin e dhunës tek të rinjtë. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska theksoi se dhuna në të shumtën e rasteve nuk fillon nga shkolla, por nga familja.
Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës
“Të rinjtë nuk bëhen agresiv në shkolla, por agresonin më së shpeshti e bartin nga familja. Në procedurë parlamentare janë ndryshimet ligjore të cilat parashohin dënime me para për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve tek të cilët vërtetohet dhunë mes bashkëmoshatarësh. Bëmë ndryshime ligjore me të cilat shkollat obligohen të planifikojnë aktivitete për promovimin e mirëqenies në shkolla, mbrojtje nga dhuna dhe diskriminimi”.
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski theksoi se parandalimi i dhunës tek të rinjtë nuk është një aktivitet i vetëm, por një proces i vazhdueshëm që kërkon angazhim dhe koordinim të përditshëm midis të gjithë palëve relevante.
Pançe toshkovski, ministër i Brendshëm
“Deklarata që po nënshkruajmë sot përcakton një kornizë të përbashkët veprimi mbi parimet e barazisë, mosdiskriminimit, përfshirjes, aksesueshmërisë dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve. Vetëm përmes bashkëpunimit të fortë ndërinstitucional dhe reagimit në kohë mund të krijojmë një mjedis më të sigurt për të rinjtë, në shkollë, në komunitet dhe në internet”.
Ministri i Politikës Sociale Fatmir Limani thekoi se dhuna tek të rinjtë nuk është problem i një institucioni, por është sfidë shoqërore e cila kërkon reagim të përbashkët dhe vendimtar.
Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale
“Parandalimi i dhunës tek të rinjtë kërkon qasje të koordinuar, sistematike dhe të përbashkët nga të gjitha institucionet dhe aktorët e shoqërisë. Të rinjtë duhet që në mënyrë aktive të marrin pjesë në krijimin e politikave, ndërsa institucionet duhet të sigurojnë mbështetje sistematike në fushat e arsimimit”.
Edhe Ambasadori i OSBE-së në Shkup Kilijan Val e theksoi rëndësinë e parneritetin mes institucioneve dhe bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e dhunës dhe krijimit të një mjedisi më të sigurtë për të rinjtë.
Dokumenti u nënshkrua nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Sportit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, dhe Ministria e Transformimit Digjital, dhe procesi realizohet me mbështetjen e OSBE-së./SHENJA/


