Islam Abazi, si shef i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në vend që të ndjekë dhe të shtypë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ai u bë xhelat i drejtësisë. Mbyllja e procedurës për rastin ‘Mazuti’, për të cilin ekzistojnë dyshime të bazuara për krim në vlerë prej 167 milionë eurosh, është një skandal dhe dëshmi për aktivizimin e dëgjuesve të Ali Ahmetit, Zoran Zaevit dhe Venko Filipçes për mbrojtjen e kriminelëve të LSDM-së dhe BDI-së“, njoftuan sot nga VMRO-DPMNE.
Nga partia thonë se „ndikimi i Zaevit, Filipçes dhe Ahmetit në gjyqësor është i madh, veçanërisht te individë si Abazi, dhe kjo shihet më së qarti nga rastet si ky me mazutin dhe krimin prej 167 milionësh, kur në vend që drejtësia të shkojë deri në fund dhe lënda të hyjë në procedurë gjyqësore, ajo mbyllet. Prokuroria e udhëhequr nga fqinji i Ahmetit, para vetëm një viti kërkoi paraburgim për 4 persona të dyshuar në këtë rast, sepse konsideronte se të dyshuarit mund të arratisen ose të ndikojnë mbi dëshmitarët në procedurë“.
„Dhe tani papritmas, pas një viti, prokurorët nga e njëjta prokurori nën komandën e Abazit, vendosin se nuk ka pasur bazë dhe prova për të vazhduar procedura për këtë rast, ndonëse i gjithë opinioni pa se bëhet fjalë për krim të rëndë, pastrim parash dhe dyshime për ndotje të mjedisit jetësor. Një kontradiktë e tillë nga ana e prokurorisë që udhëhiqet nga Abazi, kuadër i BDI-së i vendosur në kohën e LSDM-së, nuk mund të bazohet në argumente juridike apo prokuroriale, por vetëm në baza lukrative dhe politike.
Prandaj, fillimisht i bëjmë thirrje Bashkim Besimit nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, i cili mes tjerash është i afërm i ish-ministrit të Financave nga radhët e BDI-së, Fatmir Besimi, të tregojë se pse Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të qëndrojë anash, kur është evidente se ka pasur ndikim nga ana e Islam Abazit në të ashtuquajturin rast ‘Mazuti’. Po ashtu, edhe prokurorja Katerina Kolareviq të tregojë se si ka konstatuar se nuk ka asnjë dëm në rastin e rëndë 167 milionë euro, kur i gjithë opinioni pa dhe dëgjoi për dëm financiar dhe ekologjik, dhe kur vetë EMV-ja (ESM) dorëzoi ankesë deri te instancat më të larta gjyqësore“, thonë nga VMRO-DPMNE.
Ata konsiderojnë se „kuadri i Ahmetit, Zaevit dhe Filipçes, Islam Abazi, duhet të përgjigjet se deri kur planifikon të bëjë pazare për këtë trio kriminale dhe në vend të zbatuesit të drejtësisë, të jetë xhelat i saj. Gjyqësori maqedonas duhet të çlirohet nga personazhet si Islam Abazi, që në vend të tyre të vijnë profesionistë me kredibilitet moral dhe kapacitet intelektual, për të cilët zbatimi i drejtësisë është në vend të parë“.


