Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka vendosur administrim të përkohshëm në “Alta Banka SHA Manastir”, duke përcaktuar një kufi javor prej 10.000 denarësh për daljet e mjeteve nga llogaritë e personave fizikë përmes kartelave bankare.
Masa ka hyrë në fuqi më 1 nëntor 2026, ndërsa guvernatori Trajko Sllaveski ka theksuar se vendimi është marrë për mbrojtjen e bankës dhe interesave të depozituesve.
Sipas Sllaveskit, vendimi vjen pas zhvillimeve në Alta Banka në Beograd, së cilës i është revokuar licenca e punës dhe janë plotësuar kushtet për nisjen e procedurës së falimentimit. Kjo bankë është aksionare me pjesëmarrje të kualifikuar në Alta Banka në Manastir.
“Me qëllim të mbrojtjes së bilancit të ‘Alta Banka SHA Manastir’ dhe interesave të depozituesve të saj, Këshilli Ekzekutiv i Bankës Popullore, në mbledhjen e mbajtur më 1 nëntor 2026, miratoi vendim për vendosjen e administrimit në ‘Alta Banka SHA Manastir’. Vendimi tashmë është në fuqi”, njoftoi Sllaveski.
Ai theksoi se masa është e përkohshme dhe nuk është marrë për shkak të gjendjes së dobët financiare të bankës në Manastir, por për shkak të zhvillimeve që lidhen me aksionarin e saj në Beograd.
Sipas guvernatorit, Alta Banka ka kapitalizim të lartë, është likuide, ka cilësi solide të portofolit kreditor dhe i përmbush të gjitha standardet mbikëqyrëse.
Ndërkohë, Banka Popullore nuk ka saktësuar të gjitha kategoritë e pagesave që do të përfshihen në kufizimet e përkohshme dhe as datën e saktë deri kur do të vlejnë ato.
Sllaveski u ka bërë thirrje klientëve që kanë kredi në këtë bankë të vazhdojnë t’i shlyejnë detyrimet e tyre rregullisht dhe me kohë, duke theksuar se vendosja e administrimit të përkohshëm nuk e pezullon obligimin për pagesën e kredive.



