Studentët kanë pranuar modelin e ri të propozuar për vaktin e subvencionuar studentor, i cili parasheh rritjen e shumës mujore nga 3.500 në 4.500 denarë. Megjithatë, pranimi i këtij propozimi shoqërohet me dy kushte që studentët kërkojnë të përmbushen para se modeli të hyjë në fuqi.
Organizata „Rezistenca Studentore“ ka bërë të ditur se modeli i propozuar është i pranueshëm për studentët, por kërkon që të gjitha zgjidhjet e dakorduara të përfshihen në Ligjin për vaktin e subvencionuar studentor. Gjithashtu, kërkohet që lista e kompanive, marketeve dhe operatorëve ku do të mund të shfrytëzohen mjetet të publikohet paraprakisht.
Përmes sistemit digjital synohet që shfrytëzimi i mjeteve të kontrollohet dhe të kufizohet vetëm për ushqim dhe pije joalkoolike, duke parandaluar përdorimin e tyre për produkte që nuk janë pjesë e qëllimit të kësaj mase, si cigaret dhe alkooli.
Ndryshe, propozimi i ri iu prezantua përfaqësuesve të organizatave dhe parlamenteve studentore gjatë takimit të së mërkurës me kryeministrin dhe ministren e Arsimit. Pas takimit, kryeministri kishte deklaruar se priste përgjigjen e studentëve, duke vlerësuar se modeli i ri paraqet zgjidhje më të mirë se ai aktual.
Studentët ndërkohë kanë theksuar vazhdimisht se shuma e vaktit të subvencionuar nuk është rritur prej tre vitesh.
Tashmë mbetet të shihet nëse Qeveria do t’i pranojë kushtet e studentëve dhe do t’i përfshijë ato në ndryshimet ligjore që do të mundësojnë zbatimin e modelit të ri.



