Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio MIlloshovski edhe sot ka vazhduar shpalosjen e aferave ndaj funksionarëve të BDI-së. Gjatë diskutimeve të sotme për nevojën për Ligjin për Gjuhët, Milloshovski akuzoi funksionarët e BDI-së, se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe kanë punësuar njerëz duke u marrë para.
ANTONIO MILLOSHOVSKI, VMRO-DPMNE
“Në Komunën e Çairit ka së paku 30 njerëz të cilët marrin rrogë, janë të afërt me kryetarin e komunës dhe nuk shkojnë në punë. Një pjesë e madhe e të punësuarve përmes MO-së kanë paguar nga 4 mijë ose 5 mijë euro për punësim. Edhe pse ata nuk kanë pasur nevojë të paguajnë sepse u ka takuar”.
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar deputeti i BDI-së Ejup Alimi, i cili tha se akuzat e Milloshovskit janë të pabaza, ndërsa ai nuk ka guxim t’i thotë ato jashtë foltores së Kuvendit.
EJUP ALIMI, BDI
“Jeni dëshmitar se ky deputet frikacak vetëm e keqpërdor foltoren. Nëse ke guxin dil merri gazetarët dikund tjetër dhe thuaji këto informata për Izet Mexhitin, Ramiz Merkon dhe të tjerët. Kur do të ndodh konfiskimi i pasurisë së paligjshme do t’u dhimbset edhe aeroplani juaj privat”.
Kjo deklaratë e ka nxitur edhe njëherë deputetin e opozitës Milloshovski që të dalë në foltore dhe të shpalos akuza të tjera ndaj BDI-së.
ANTONIO MILLOSHOVSKI, VMRO-DPMNE
“Përmendja e një funksionari, i cili ka keqpërdorur pozitën nuk do të thotë se kjo vlen për të gjithë anëtarët e partisë. Pse nuk është paraqitur në Komisionin antikorruptues shtëpia e ndërtuar në Butel e Izet Mexhitit, e cila është ndërtuar shumë bukur. Prej ku e përfitoi të gjithë atë pasuri? Ju shumë mirë e dini se si shumë të punësuar përveç dokumenteve kanë dorëzuar edhe nga 4 mijë ose 5 mijë euro për punësimin që ju takon”.
Në Kuvend edhe sot vazhdoi debati për nevojën e sjelljes së Ligjit për Gjuhët. Prej të hënës Kuvendi nuk do të vazhdojë aktivitetet e tij, për shkak të zgjedhjeve lokale të 15 tetorit. Mefail Ismaili

