VLEN njofton se po ndërmerren hapa konkretë për të mundësuar zhvillimin e Provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt barazisë gjuhësore.
Në një takim joformal me studentë të fakulteteve juridike, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, prezantoi zgjidhjen ligjore që do të mundësojë dhënien e këtij provimi në gjuhën shqipe.
Sipas VLEN-it, pas 35 vitesh, po shkon drejt fundit barriera gjuhësore që ua pamundësonte shqiptarëve ta jepnin provimin në gjuhën e tyre.
Nga kjo koalicion theksojnë se bëhet fjalë për një hap të rëndësishëm drejt barazisë gjuhësore dhe respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Me VLEN-in në Qeveri, kjo çështje po merr zgjidhje konkrete. Sepse barazia nuk duhet të mbetet vetëm premtim, por duhet të përkthehet në të drejta të garantuara dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.



