Duke ju referuar të dhënave të Eurostatit, kryeministri Hristijan Mickoski, ka theksuar se Maqedonia e Veriut ka ndër çmimet më të ulëta të ushqimeve dhe pijeve në rajon. Sipas tij, bazuar në indeksin e çmimeve me vlerë referente 100, vendi renditet ndër shtetet me çmimet më të ulëta për këto produkte.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Eurostat publikoi të dhëna që bazohen në indeksin me vlerë referuese 100, sipas të cilit vendi ynë ka çmimet më të ulëta për pijet dhe ushqimet, bindshëm më të ulëtat në rajon. Me këtë rrëzohen të gjitha pretendimet e atyre që me qëllim të keq, gjatë periudhës së kaluar, përhapën gënjeshtra dhe dezinformata”.
Mickoski tha se Qeveria ka punuar për stabilizimin e inflacionit dhe se, si rezultat, vendi sot, veçanërisht në tremujorin e tretë, ka normën dukshëm më të ulët të inflacionit në rajon dhe, siç tha ai, ndoshta edhe në Evropë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Më parë na bindnin se inflacioni ishte i importuar, kur ne kishim inflacion dy herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Sot, kur kemi inflacion 25 deri në 30 për qind më të ulët se ai në BE, nuk janë askund ata që na bindnin për këtë. Heshtin, janë fshehur diku dhe përpiqen përsëri me gënjeshtra, shpikje dhe konstrukte, të shkaktojnë dëme politike. Por e kanë gabim”.
Ndërkaq, të dhënat zyrtare tregojnë se Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë paga dukshëm më të ulëta se disa vende të rajonit dhe shumë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Evropian. Paga mesatare neto në vend, në korrik të vitit 2026, ka arritur në rreth 789 euro. Në krahasim, në Serbi paga mesatare është rreth 1.035 euro, në Mal të Zi 1.040 euro, ndërsa në Kroaci ka arritur në 1.555 euro. Ndërkohë, sipas Eurostat-it, paga mesatare vjetore bruto në Bashkimin Evropian në vitin 2024 ishte 39.800 euro, ose rreth 3.317 euro në muaj.
Samir Mustafa /SHENJA/



