Burime nga VLEN kanë paralajmëruar për nesër një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku pritet të publikojë prova ekskluzive që, sipas VLEN-it, lidhin drejtpërdrejt udhëheqësinë më të lartë të BDI-së me nisjen e procesit të hyrjes së bankës serbe “Alta” në Maqedoninë e Veriut.
Nga VLEN nuk kanë zbuluar ende detaje rreth materialeve që do të prezantohen, por bëjnë të ditur se për herë të parë para opinionit publik do të paraqiten prova që, sipas tyre, dëshmojnë se procesi i marrjes së “Stopanska Bankës” në Manastir, sot “Alta Banka Maqedoni”, nuk ka qenë i rastësishëm, por ka nisur me vendime dhe përfshirjen e strukturave më të larta të partisë së Ali Ahmetit.
Konferenca e nesërme vjen pas publikimit të një sërë të dhënash gjatë ditëve të fundit lidhur me raportet financiare milionëshe mes rrjetit familjar të biznesit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe pronarit të “Alta Bankës”, Davor Macura, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Beograd. Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka vendosur administrim të përkohshëm në bankën me seli në Manastir.
Nga VLEN thonë se konferenca e nesërme pritet të zbulojë se kush, kur dhe në çfarë mënyre i hapi rrugë kapitalit nga Beogradi për të hyrë në sektorin bankar të Maqedonisë së Veriut. VLEN u ka bërë thirrje mediave dhe organeve hetuese që ta ndjekin me vëmendje këtë zhvillim.



