01 September
Takimet midis shefave të diplomacive, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas janë relaksim i marrëdhënieve midis dy vendeve, por nuk janë shkopi magjik për zgjidhjen e problemit tashmë të tejzgjatur. Kështu vlerëson profesori universitar, Blerim Reka, i cili beson se problemi nuk mund të zgjidhet shpejtë, pasi kur ky problem të zgjihet Maqedonia do të bëhet anëtare e NATOs, gjë që sipas tij i pengon Rusisë.
Nuk besoj se dy vizitat reciproke të ministrave të jashtëm, do të mund ta tejkalojnë brenda natës problemin e dy dekadave të negociatave të lodhshme, të rënda për çështjen e emrit. Mendoj se kontesti i emrit dhe bllokada e Maqedonisë në anëtarësimin euro-atlantik, po aq sa është çështje bilaterale midis këtyre dy shteteve ajo mund të ketë edhe implikime gjeo-politike, sepse pa anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në një mënyrë nuk mund të mbyllet krahu jugor i Aleancës Veri-Atlantike, gjë të cilën edhe Rusia po e propagandon tash sa kohë si një provokim për Moskën- deklaroi profesori universitar Blerim Reka.
Ish diplomati, Nano Ruzhin është i bindur se Maqedonia nuk do të pranojë të ndryshojë emrin para anëtarësimit në NATO. Andaj sipas tij, konsensusi më i mirë në këtë rast do të ishte që Greqia ta mbështeste anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me referencën IRJM, me kusht që deri në anëtarësimin e IRJM-së në BE dy vendet të gjejnë zgjidhje të përbashkët. Ruzhin vlerëson se gjithsesi me takimet e fundit dy shefat e diplomacive i kanë hapur rrugë edhe zgjidhjes së problemit rreth emrit.
Në parim, diplomatët tani kanë hapësirë të hapur që u krijua, sepse deri tani hapësira ishte shumë e mbyllur, e bllokuar. Pra u krijua një hapësirë e hapur, që do t’iu mundësojë diplomatëve nga të dyja palët edhe të atyre që ndërmjetësojnë të gjendet zgjidhje të përbashkët që më lehtë të arrijnë te formula përfundimtare. Mendoj se pikërisht fqinjësia e mirë është një çështje shumë e rëndësishme dhe është në themel të këtyre takimeve Dimitrov Kocijas, respketivisht pjesës tjetër të establishmentit politik maqedonas- deklaroi ish diplomati Nano Ruzhin.
Në takimin e një dite më parë në Shkup, ministrat Dimitrov dhe Kocijas biseduan për masat me të cilat do ta forcojnë besimin mes dy vendeve. Kocijas u zotua se Maqedonia do të ketë mbështetjen e Greqisë në rrugën e saj euro-atlantike nëse zbatohet vendimi i Bukureshtit, sipas të cilit pa zgjidhjen e kontestit Maqedonia nuk do të anëtarësohet në NATO. Dimitrov nga ana tjetër, u distancua nga irredentizmi duke u zotuar se do të bëjë gjithçka që mundet për të ardhmen evropiane të vendit.
Anesa Salihu

