13 August
Një pjesë e banorëve të lagjes Vizbeg të Shkupit që tashmë 10 vjet vuajnë mungesën e ujit përfundimisht po ndjejnë shushurimën e tij në çezmat e shtëpive. Banorët shpresojnë në realizimin e premtimeve të dhëna nga Qyteti i Shkupit dhe NP Ujësjellësi për ndërtimin e një rrjeti të ri të ujësjellësit, pas çka të gjithë vizbegasit do të kenë ujë të mjaftueshëm.
“Na kanë thënë ta përdorim këtë ujë pastaj do ta vendosin rrjetin. Unë kam qenë te Koce Trajanovski me fqinjët, ai ka thënë se ndërkohë do ta rregulloj projektin dhe do ta vendos rrjetin e ri. Ky ujë dhe ky kanalizim është bë për 20 shtëpi atëherë e …tash janë bë 250 shtëpi. Zihet me ujë kur bie shi shumë edhe na kthen uji nëpër shtëpi”, u shpreh Rakip Ademi, banor i Vizbegut.
“Mir është tash,nuk ka shumë ujë po nuk jemi pa të, faleminderit shumë prej jush. 10 vjet kemi qenë pa ujë, tash jemi të kënaqur për ujë, faleminderit shumë”, tha Shaban Lusjani, banor i Vizbegut.
Edhe pse një dekadë ishin pa ujë, disa nga banorët e kësaj pjese rregullisht i kanë paguar faturat për ujë. Ndërsa, shumë të tjerë kërkojnë faljen e borxhit ndaj ujit për vitet që nuk janë furnizuar me ujë.
“Gjysmën e linjës e kanë lëshu, na kanë thënë se për disa muaj do ta lidhin edhe rrjetin tjetër dhe të gjithë do të kemi ujë rregullisht. Ujin prej tash do ta paguajmë, faturat të na i sjellin dhe do ti paguajmë a tjerat që i kemi pas më herët dhe nuk kemi pas ujë kemi dëshirë me na i fal, se kemi pas shumë probleme”, tha Fejzulla Fera, banor i Vizbegut.
“Faleminderit, tash jemi më mirë, ja për sa punë na kanë lënë 20 vjet pa ujë. Kam shku e kam pastru fytyrën te xhamia, jo në shtëpi. Kush e ka shtëpinë dy kate nuk mbërrin deri lartë por natën të paktën mbërrin. Unë i kam të paguara të gjitha me rregull, as një pikë ujë nuk e kam pas por të gjitha i kam të paguara”, tha Muhamet Nuhiu, banor i Vizbegut.
Nga Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarja publike e Ujsjellësit kanë paralajmëruar se për një periudhë të shkurtër do të zgjidhin problemin me mungesën e ujit për vizbegasit. Nga kjo e fundit madje kanë njoftuar se në disa pjesë kanë nisur edhe punimet ndërtimore për zgjërimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit. Kohë më parë, banorët e Vizbegut përmes protestave në rrugë kërkuan zgjidhjen këtij problemi të kamotshëm.
Melihate Rustemi

