30 Dhjetor
Zyrtarët pavarësisht pozicionit në ekzekutiv apo në institucionet tjera duhet të jetë të kujdesshëm në deklarimet e tyre për çështjen e ndjeshme, siç është edhe ajo e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare duke komentuar deklaratën e Zv/kryeministrit, Koço Angjushev se për të “Maqedonia Veriore, e Epërme apo Maqedonia e Re është zgjidhje e pranueshme”. Për ish diplomatin Risto Nikovski nga ana tjetër, është e papërgjegjshme që në këtë moment “kritik” të jepen deklarata të këtilla, pasi të njëjtat janë në dëm të shtetit tonë.
Deklarata e Angjushevit është tejet e papërgjegjshme dhe mendoj se e përkeqëson pozitën e vendit në raport me problemin rreth emrit. Kjo tregon se në Maqedoni amatorë vihen në pozita të larta shtetërore. Ai mund të flasë në emër të tij në shtëpi, por atëherë kur të mos ketë funksion shtetëror. Kur të ketë funksion shtetëror secili person përgjegjës ka obligim të kujdeset para së gjithash për interesat e shtetit dhe pastaj të shprehë frustrimin e tij, ndonjë mendim që nuk ka lidhje me realitetin. Për më tepër, ai hy në sferë për të cilën nuk ia ka idenë dhe mundohet të jep ndonjë zgjidhje, që është tërësisht e gabuar, e papranueshme, e dëmshme për shtetin – deklaroi Risto Nikovski, ish diplomat.
Por, Andreja Stojkovski nga Qendra “Eurothink” vlerëson se kjo deklaratë mund ta ndihmojë debatin nacional, por jo edhe zgjidhjen e problemit rreth emrit për shkak se zv.kryeministri nuk ka të drejtë të deklarojë qëndrimin e Qeverisë për një problem ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për mendim personal. Në parim, mendoj se ka të drejtë zv/kryeministri Angjushev që si qytetar i shtetit të mendojë nëse diçka do të mund të ishte e pranueshme ose jo. Ajo që është e rëndësishme është se sipas të drejtës ndërkombëtare deklarata dhe obligime për shtetin mund të japin dhe marrin Presidenti i shtetit, kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme. Edhe në këtë rast për problemin rreth emrin, nga këto tre do të duhet të pritet deklaratë që do të thoshte tejkalim të problemit rreth emrit. Nga asnjë tjetër nuk mund të vijë deklaratë që do ta obligonte shtetin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare – tha Andreja Stojkovski, “Eurothink” .
Duke e komentuar deklaratën, Kryeministri, Zoran Zaev kishte thënë se e respekton mendimin e zv.kryeministrit për propozimet që tashmë po qarkullojnë në opinion. Ai tha se procesi është transparent dhe se negociatat akoma nuk kanë arritur thelbin. Zaev u shpreh optimist se së shpejti do të gjendet zgjidhje e përbashkët mes kryeministrave dhe ministrave të jashtëm të të dyja vendeve. Ndryshe, pas paralajmërimeve se do të intensifikohen negociatat, pritet që vitin e ardhshëm çështja e emrit të merr epilogun e shumëpritur. Megjithatë deri tani as nga Shkupi e as nga Athina zyrtare nuk ka qëndrim se cili nga propozimet e mundshme do të ishte i pranueshëm për ta.
Anesa Salihu

