Kryetari i Lëvizja Populli, Skender Rexhepi Zejd, ka vlerësuar lart angazhimin e ambasadorit të Shqipërisë në RMV, Denion Meidani, duke e cilësuar si një nga diplomatët më aktivë dhe më pranë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Rexhepit, në një periudhë të vështirë politike për shqiptarët në vend, kur shumë diplomatë do të zgjidhnin heshtjen dhe komoditetin institucional, Mejdani ka qenë pranë proceseve kombëtare shqiptare dhe pranë zërit të shqiptarëve.
Në vijim shkrimi i plotë i Rexhepi – Zejd:
Në këto dy vite të vështira politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kur shumë diplomatë të mëparshëm nga Shqipëria do të zgjidhnin heshtjen dhe komoditetin institucional, ambasadori aktual i Shqipërisë në RMV, Denion Meidani, zgjodhi të jetë pranë proceseve kombëtare shqiptare dhe pranë zërit të shqiptarëve.
Për shumë qytetarë, intelektualë dhe faktorë politikë shqiptarë në RMV, ai do të mbetet ambasadori më aktivë dhe më përkrahës që Shqipëria ka pasur ndonjëherë në Shkup.
Në mënyrë dinjitoze, pa populizëm ai ka dëshmuar interesim real për:
– avancimin e të drejtave të shqiptarëve;
– mbështetjen e proceseve kombëtare;
– forcimin e lidhjeve ndërshqiptare;
– dhe ruajtjen e dinjitetit kombëtar në momentet më sensitive politike.
Nëse vërtet po përfundon mandati i tij si ambasador në RMV, atëherë duhet thënë qartë:
Denion Mejdani lë pas një standard diplomatik që vështirë do të harrohet nga shqiptarët e RMV-së, sepse edhe ambasadorët maten me gjurmën që lënë te njerëzit dhe te kauzat kombëtare.


