Shqipëria dhe Turqia kremtuan vitin e kaluar një përvjetor jubilar, atë të mbushjes së një shekulli nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. I njëjti vit, 2023-shi, shënonte njëkohësisht dhe 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë.
Fondacioni ALSAR, si ent me përpjekje të pandalshme në forcimin e këmbëve të urave të vëllazërisë, miqësisë dhe bashkëpunimit të gjatë të popujve tanë dhe të shteteve tona, organizoi me atë rast në Tiranë një simpozium shkencor ndërkombëtar.
Pjesëmarrja e gjerë dhe tematika e larmishme e kumtesave treguan se sa me vend ishte kjo mënyrë e zgjedhur kremtimi.
Simpoziumi, “Marrëdhëniet shqiptaro-turke: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, ofroi një analizë të thellë të ndërveprimit mes dy vendeve, e të perspektivave në kuadër strategjik.
I tërë materiali studimor u përmblodh për t’u nxjerrë si një botim, i cili do t’u shërbejë të gjithë të interesuarve.
Siç thuhet në parathënien e tij, “botimi arkivon një tjetër akt domethënës të Fondacionit ALSAR në shërbim të mbajtjes sa më të gjallë dhe më të fortë të vëllazërisë së dy popujve”.