Në ditën e 92-të të protestës përpara Kryeministrisë, mes zërave që iu drejtuan turmës ishte edhe një nënë e kthyer nga emigracioni, e cila falënderoi qytetarët për qëndresën përballë temperaturave të larta dhe lodhjes, ndërsa u bëri thirrje prindërve të tjerë t’i bashkohen të rinjve në shesh.
Përmes një mesazhi mobilizues, ajo tregoi arsyen pse vendosi të linte jetën jashtë Shqipërisë për t’u bërë pjesë e lëvizjes qytetare në kryeqytet.
“Keni sfiduar vapën, lodhjen dhe keni ardhur në protestë. Unë jam një nënë shqiptare e kthyer nga emigracioni sepse thashë se atdheu është në rrezik. Nënat e tjera duhet të vijnë këtu në krah të fëmijëve tanë!” apeloi ajo nga foltorja.
Më tej, protestuesja denoncoi incidente gjatë rrugëtimit të marshimit nga Sheshi “Skënderbej” drejt godinës së ekzekutivit, ku sipas saj pati tentativa për të provokuar turmën.
“Patronazhistët, në kohën që bënin marshim protestuesit, hidhnin vezë nga lart. Ata mundohen me çdo mënyrë të provokojnë protestuesit, por nuk do të fitojnë asnjëherë sepse kauza e tyre është e sëmurë dhe e vdekshme. Kauza e protestuesve është e madhe dhe e fuqishme sepse kërkon mbrojtjen e të drejtave. Ndaj kauza jonë është e qartë, ajo është e pavdekshme! Vala e protestuesve nuk pushon asnjëherë!” përfundoi ajo.
The post Protestuesja e kthyer nga emigrimi: U ktheva se atdheu është në rrezik, kauza jonë është e pavdekshme appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


