Në ditën e 92-të të protestës përpara Kryeministrisë, gazetari Osman Stafa i është drejtuar turmës me një fjalim të ashpër denoncues, ku u ndal te skandalet e sistemit shëndetësor dhe braktisja e pacientëve, duke akuzuar qeverinë për propagandë dhe abuzim me fondet publike.
Stafa e nisi fjalën e tij duke vlerësuar qëndresën e qytetarëve që vijojnë të protestojnë në temperatura të larta për të ardhmen e vendit.
“Asnjëherë historia e Shqipërisë nuk ka parë një protestë që zgjat 92 ditë dhe nuk i ndihet fundi, sepse në këtë betejë është e ardhmja jonë dhe e Shqipërisë. Po bëni historinë! Po bëni qëndresë, rezistencë, po tregoni forcë e dinjitet. Nuk doni një Shqipëri të vjedhur e të korruptuar, por një vend ku të jetoni me dinjitet,” deklaroi gazetari.
Më tej, gazetari u ndal te një video e publikuar pak ditë më parë nga kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë lidhur me shërbimet e reja spitalore.
“Para tri ditësh kryeministri Rama publikoi një video të ministres së Shëndetësisë ku u tha se qytetarët me goditje ishemike do të kishin në shërbim arteriografinë dhe trombektominë. Sot po ju thosha se ata gënjyen! Këto shërbime nuk jepen për qytetarët shqiptarë. Mungesa e këtij trajtimi të çon në vdekje ose në paralizë. Edhe shëndetësinë nuk e japin sepse paratë i çojnë te ‘Kopshti Eden’, te inceneratorët që nuk ekzistojnë, te tigri 1 dhe 3, por jo te shëndetësia!” u shpreh Stafa.
Gjatë fjalës së tij, Stafa solli në vëmendje edhe rastin e një pacienteje nga Maliqi për të ilustruar gjendjen në spitalet publike.
“Një grua nga Maliqi u sorollat prej 4 muajsh nga Onkologjiku për kancerin në gji. Shkoi të trajtohej para pak ditësh me një plagë të hapur në gjoks, mjekët u lemerisën sepse po e hanin krimbat për së gjalli! Dhe thanë se nuk e marrin përsipër e donin ta çonin në shtëpi. E kuptoni apo jo?”
Në përmbyllje, gazetari u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen në shesh për të mbrojtur të drejtat e tyre: “Po kërkojmë që ky vend të mos vidhet, që gjyshërit tanë të kënë pensione për të blerë së paku ilaçet e tyre dhe fëmijët e shqiptarëve të mos largohen nga vendi. Nëse e doni këtë vend, hajdeni në protestë!”
The post “Historia e Shqipërisë nuk ka parë kurrë një protestë si kjo”, Gazetari Osman Stafa: Kjo është beteja për të ardhmen tonë! Duam një vend me dinjitet appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


