Faktori njeri, kapacitet e dobëta menaxhuese të institucioneve dhe mungesa e masave preventive janë vlerësuar si faktorët kryesor për pasojat tragjike nga vërshimet e dy viteve të fundit në rajonin e Tetovës. Andaj, UNDP me finansim të Federatës zvicrane, do të finansojnë dy projekte të rëndësishme, projektin për reduktimin e rrezikut nga përmbytjet në rajonin e Pollogut që kap vlerën prej 3.5 milion franga zvicrane si dhe projektin për renovimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të deponisë rajonale Rusino në vlerë prej 1.9 milion franga zvicrane. Përfaqësuesja e UNDP-së dhe zëvendës ambasadori i Zvicrës thanë se këto dy projekte lidhen ngushtë pasi mbetjet nga mbeturinat e ngurta, gjegjësisht materialet ndërtimore kanë ndikuar poashtu në nivelin e lartë të dëme që kanë shkaktuar vërshimet e fundit në Tetovë dhe rrethinë. Donatorët potencuat se një pikë e dobët në përballimin me fatkeqësitë natyrore kanë qenë edhe kapacitetet e dobta menaxhuese të organeve dhe ndërmarrjeve lokale dhe qendrore.
Stefan Tomagian, zv ambasador i Zvicrës
“Kemi këtu menaxhimin e dobët të mnbeturinave të forta që rrit rrezikun për jetën dhe shëndetin e qytetarëve sidomos mbeturinave të cilat hidhen në lumenjtë dhe kjo lidhet ngushtë me rrezistencën ndaj përmbytjeve dhe menaxhimin e mbeturinave të forta. Për këtë zvicra ka vendosur që të mbështesë realizimin e sistemeve të menaxhimit të mbeturibnave të forta”.
Luiza Vinton, UNDP
“Pra na kujtohen fatkeqësitë të cilat kanë ndodhur para dy viteve ku humbën jetë 6 persona në Shipkovicë, Dimitër unë dhe ekipi im kemi vizituar Shipkovicën që ditën e nesërme, atë që kemi parë ishte një fatkeqësi natyrore. Pastaj mësuam se shirat ishin aq të rrëmbyshëm si rrallë herë, kishte pasur humbje njerëzore, shtëpitë dhe ndërtesat të cilat janë ndërtuar janë shkatërruar për arsye të shirave të rrëmbyeshëm për shkak të mbeturinave të forta”.
Ministri i ekologjisë i cili nënshkroi marrëveshjen në emër të Qeverisë, tha se dy projektet e mbështetura nga qeveria zvicrane do të ndihmojnë jo vetëm pushtetit lokal, por edhe në forcimin e kapaciteteve të pushtetit qëndror për menaxhim me situata të përmbytjeve në të ardhmen.
Sadulla Duraku, ministër i ekologjisë
“Rajoni i Pollogut është më i prekshëm ndaj këtij lloji të rrezikut natyror veçanërisht për shkak të ndryshimeve të shpejta klimatike. Vërshtimet e fundit katastrofike që përfshinë këtë rajon dhe pasojat me të cilat u përmballëm u shtrua nevoja për të trajtuar më seriozisht këtë problem. Ky projekt vjen në momentin e duhur kur institucionet janë të përgatitura si asnjëherë më parë të hyjnë në proces reformash në interes të popullatës”.
Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se projektet në fjalë do të ndihmojnë në menaxhimin e mbetjeve të ngurta që janë konstatuar si shkaktar të dëmeve të mëdha gjatë vërshimeve, por edhe për forcimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve komunale që janë vlerësuar si pikë e dobët gjatë situatave kritike deri më tani.
Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës
“Është pikërisht përkrahja e kapaciteteve të ndërmarjeve publike për të arritur nivele më të larta të mbledhjes, menaxhimit sepse jemi të vetëdijshëm për pikat e dobëta që kemi vecanërisht në menaxhimin dhe realizimin e punëve të NPK-ve. Prandaj e vlerësoj këtë aktivitet të sotëm dhe prandaj është shanc dhe obligim i madh i yni që menjëherë pas nënshkrimit të marëveshjes dhe përgaditjes së dokumentacionit të gjithë bashkë të veprojmë në realizimin e këtyre”.
Në nënshkrimin e dy marrëveshjeve morën pjesë edhe kryetarët dhe përfaqësues të komunave të tjera që gravitojnë në rajonin e Pollogut të cilat poashtu ballafaqohen me probleme të ngjashme gjatë periudhës së vërshimeve.
Arben Zeqiri /SHENJA/

