Kandidati nga radhët e Lëvizjes Besa për komunën e Likovës Shaban Zendeli, tha se edhe përskaj parregullsive të shumta që sipas tij kanë ndodhur në këtë komunë më 15 tetor, ekziston ende shpresë se 29 tetori do të sjellë ndryshimin. Zendeli uron që Likovën mos ta gjejë situata e njëjtë sikur në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, që edhe përkundër të gjitha përpjekjeve dhe angazhimeve, nuk kanë arritur që t’i shmangen parregullsive të shumta që ndodhën atë ditë. Ai tha se nuk janë dorëzuar, por përkundrazi janë mobilizuar edhe më shumë që në rrethin e dytë të korrin sukses.
Shaban Zendeli, Lëvizja Besa
“Po qe se eliminohen parregullësit, po qe se kemi një proces të rregullt zgjedhor, padyshim se ndryshimi do të ndodh më 29 tetor. Ne tani jemi angazhuar maksimalisht që rezultati i votimit të jetë ai që është vullneti i popullit, për këtë kemi kërkuar edhe nga faktori ndërkombëtar që të ketë monitorim të shtuar në komunën e Likovës dhe shpresojmë se ky angazhim dhe ky përkushtim do të sjellë rezultate për ndryshim në komunën e Likovës”.
Sa i përket koalicionimit me Aleancën për Shqiptarët, Zendeli u shpreh se është ngjallur një eufori shumë e madhe tek popullata, pasi një gjë të këtillë e kanë populli e ka dashur prej kohësh.
Shaban Zendeli, Lëvizja Besa
“Kemi krijuar një entuziazëm shumë të madh, një gjallëri te aktivistët dhe gjithandej veprojnë në teren. Është një frymë shumë pozitive, ka ngjallur një shpresë tek banorët e komunës së Likovës… Ky koalicion i cili është i shumë pritur edhe më herët dhe tani në këtë kohë kanë ngjallë shpresën, kanë ngjallë vullnetin se me të vërtet ka ardhur koha për ndryshime dhe në atë drejtim në presim dalje më të madhe në ditën e votimit, më 29 tetor”.
Zendeli e konsideron si problem madhor dhe shqetësues daljen e ulët të qytetarëve në rrethin e parë, por kjo sipas tij është përshkak se popullata është shumë e zhgënjyer nga politikbërja e deritanishme, por gjendja sipas tij do të ndryshoj më 29 tetor, duke shpresuar se dalja e qytetarëve do të jetë më e madhe.
Ndërkaq nga koalicioni shqiptar “Aleanca me Besë”, disa ditë më parë shpalosën parregullsi e shumta që i kanë hasur gjatë raundit të parë të zgjedhje lokale në komunën e Likovës.
Emine Ismaili /SHENJA/

