Në kuadër të fushatës zgjedhore për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, LSDM mbrëmë ka mbajtur tubim në Makedonski Brod. Kreu i kësaj partie, Zoran Zaev, tha se mbështetja e parë për këtë komunë nga ana e qeverisjes lokale do të jetë konsolidimi financiar dhe stabilizimi i komunës, me qëllim që siç tha ai, kjo komunë të fitojë shansa të drejta dhe perspektivë serioze. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Makedonski Brodit që t’i japin mbështetjen më 29 tetor.
Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së
“Ne udhëheqim luftë të ndershme, luftë patriotike, për komunën tonë, për të gjithë qytetarët e Makedonski Brodit, për të gjithë Maqedoninë. Unë jam njeri I ndershëm dhe në mënyrë të ndershme kam thënë, presim fitore, por qytetarët na kanë befasuar shumë pozitivisht. Na kanë befasuar, por edhe na kanë detyruar që të punojmë ndershëm, të përkushtuar, me dinjitet për interesin e të gjithëve.”
Ndërkaq Bashkimi Demokratik për Integrim, mbrëmë ndaloi në Çegran të Gostivarit. Kreu I kësaj partie tha se në të mirë të Çegranit dhe Gostivarit në përgjithësi është që të mbështetet projekti I Nevzat Bejtës. Ai theksoi se partia e tij, I tërë ekzekutivi, grupi parlamentar si dhe vetë ai personalisht I qëndrojnë pas këtij projekti të Nevzat Bejtës.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
“Rrofshin e qofshin të gjithë ata që merren me politikë por jo me shpifje dhe me lajme të rrejshme. Sepse, unë nuk dua të qëndroj dhe as që kam qëndruar deri tash në politikë duke bërë lajme të rrejshme dhe duke përçarë shqiptarët. Le të ngrihet zëri aty ku s’kemi bërë punë të mira, le të thuhet se çka s’kemi bërë, por me shpifje dhe lajme të rrejshme nuk dakordohemi.”
Gjatë ditës së sotme, Ahmeti dhe partia e tij do të vazhdojnë vizitat në komunat të cilat janë në balotazhë. Ndërkaq nga LSDM kanë informuar se sot do të takohen me qytetarët e Zërnovcit, Çeshinovës, Probishtipit dhe Shtipit.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

