Përplasjet mes partive të bllokut maqedonas nuk kanë të ndalur, ku sot ata kanë fajsuar njëra tjetrën se kush po e bllokon rrugën drejt Bashkimit Europian. Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, kuadër i VMRO-DPMNE-së, kërkoi mbështetje nga opozita për miratimin e ligjeve kyçe që lidhen me reformat evropiane, duke theksuar se pa marrëveshje në Kuvend nuk do të mund të realizohet plotësisht qasja në fondet evropiane.
Sipas tij, ndër çështjet më të rëndësishme janë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe reformat në sistemin e drejtësisë, për të cilat nevojitet harmonizim më i gjerë politik dhe mbështetje me dy të tretat e votave. Ai theksoi se ndryshimet ligjore janë kyçe dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në kredibilitetin e shtetit, sundimin e ligjit dhe shfrytëzimin e fondeve evropiane.
SINKRON:TIMÇO MUCINSKI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME DHE TREGËTISË SË JASTHME
“Çdo bllokim, zvarritje apo politizim i këtyre proceseve nuk është goditje ndaj Qeverisë, por ndaj perspektivës evropiane të shtetit dhe interesave të qytetarëve të Maqedonisë. Nëse opozita çdo ditë mban konferenca për shtyp dhe thotë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se BE-ja dhe se duhet t’i shfrytëzojmë fondet, por në praktikë nuk i mbështet ligjet evropiane, atëherë përfundimi është i qartë”.
Ndërkaq, nga ana tjetër, lideri i opozitës, Venko Filipçe, vlerëson se Qeveria nuk dëshiron reforma për Bashkimi Evropian. Ai madje pyet publisht se çfarë ka bërë Qeveria gjatë dy viteve të fundit për përmbushjen e agjendës reformuese.
SINKRON:VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Timço Mucunski nuk dëshiron reforma për Evropën. Reformat nënkuptojnë ndryshime kushtetuese, fillim të negociatave dhe hapje të kapitujve për BE-në, kjo është rruga e vërtetë përpara. Nëse nuk duan, le të largohen, sepse do të mbajnë përgjegjësi”.
Sipas tij, sot e njëjta strukturë politike që dikur kritikonte integrimin evropian dhe NATO-n, tani po i pranon ato politika, duke treguar kontradikta në qëndrimet e saj. Filipçe theksoi gjithashtu se procesi evropian është penguar nga interesa politike dhe korruptive, ndërsa shtoi se Bashkimi Evropian sjell institucione të pavarura, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit, gjë që, sipas tij, disa struktura politike në vend nuk e duan.
Samir Mustafa /SHENJA/


