Banorët e Divjakës kanë vijuar pa u ndalur aksionin e tyre qytetar, duke shënuar këtë të hënë protestën e 53-të radhazi kundër reformës territoriale që parashikon shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin me Lushnjen.
Përballë vendimeve të marra në zyrat e pushtetit, qytetarët e Divjakës po tregojnë qëndresë për të mbrojtur autonominë dhe identitetin e komunitetit të tyre.
Kjo nismë e ekzekutivit, sipas banorëve, synon të fshijë me një të rënë të lapsit një histori 34-vjeçare të Divjakës si qytet dhe gati 12 vite si bashki e konsoliduar me administratë më vete.
Mbrëmjen e së hënës, banorët e mbyllën tubimin e tyre me një marshim përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, duke përcjellë një mesazh të prerë për autoritetet.
Me thirrjet “Divjaka bashki!” dhe “Divjaka e qytetarëve, jo e pushtetarëve!”, protestuesit konfirmuan se rezistenca e tyre do të vazhdojë pa u ndalur deri në realizimin e kërkesave të tyre ligjore e komunitare.
The post Qëndresa nuk ndalet në Divjakë/ Banorët në protestën e 53-të kundër shkrirjes së bashkisë: Divjaka e qytetarëve, jo e pushtetarëve! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


