Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar një jaht që transportonte rreth 2.1 ton kokainë, në një operacion të zhvilluar rreth 650 kilometra larg brigjeve të Galicisë.
Në pranga kanë rënë katër anëtarë të ekuipazhit, shtetas të Argjentinës, Uruguait, Kolumbisë dhe Shqipërisë, ndërsa një tjetër person i dyshuar për përfshirje në rrjetin e trafikut është arrestuar në Girona, pranë Barcelonës.
Operacioni është zhvilluar nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore i Agjencisë Tatimore spanjolle, në bashkëpunim me autoritetet franceze dhe me mbështetjen e strukturave ndërkombëtare kundër trafikut të drogës.
Jahti, rreth 14 metra i gjatë dhe me flamur polak, është shoqëruar drejt portit të Vigos, ku droga dhe personat e arrestuar do t’u dorëzohen autoriteteve gjyqësore.
Anija ishte nën vëzhgim që prej korrikut
Hetimi për anijen kishte nisur disa muaj më parë. Autoritetet spanjolle e kishin identifikuar jahtin si të dyshimtë dhe e kishin mbajtur nën vëzhgim që prej kohës kur ndodhej në portin e Roses, në bregdetin mesdhetar të Spanjës.
Më 11 korrik, anija u largua nga Roses dhe çaktivizoi sistemin AIS, i cili përdoret për identifikimin dhe gjurmimin e mjeteve lundruese.
Pas disa ditësh kërkimesh dhe shkëmbimit të informacionit me autoritete të tjera ndërkombëtare, anija u lokalizua në Atlantik. Ndërhyrja u krye më 14 shtator, rreth 400 milje detare larg brigjeve të Galicisë.
Gjatë kontrollit në bord u gjetën 70 pako me kokainë, me një peshë totale prej afro 2.1 tonësh.
Dyshohet për një rrjet që furnizonte organizata kriminale
Hetuesit dyshojnë se pas transportit qëndron një grup kriminal i specializuar në përdorimin e jahteve me vela për transportimin e sasive të mëdha të narkotikëve.
Sipas autoriteteve spanjolle, grupi dyshohet se siguronte mjete lundruese për organizata kriminale në Evropën Lindore dhe Ballkan, duke përdorur jahte me flamuj të vendeve të ndryshme për të vështirësuar gjurmimin e tyre.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Francës, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa në operacion ka dhënë mbështetje edhe Agjencia Amerikane Kundër Drogës (DEA).
Një person me shtetësi kiliane, i dyshuar si drejtues i rrjetit dhe përgjegjës për gjetjen e jahteve që plotësonin kriteret e nevojshme, është arrestuar në Girona.
Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se hetimi vijon dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera.
Dyshohet se droga u ngarkua në mes të Atlantikut
Një nga pistat e hetuesve është se kokaina mund të jetë transferuar në det të hapur nga një anije tjetër, e ardhur nga Amerika e Jugut.
Kjo mënyrë transporti lidhet me të ashtuquajturën “Rruga Atlantike e Kokainës”, në të cilën përdoren anije dhe jahte për të transportuar narkotikët nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur vendin e saktë të origjinës së ngarkesës dhe momentin kur kokaina është vendosur në jaht.
Shqiptari, pjesë e ekuipazhit të arrestuar
Mes katër personave të arrestuar në bord është edhe një shtetas shqiptar. Ai, së bashku me tre anëtarët e tjerë të ekuipazhit, përkatësisht shtetas nga Argjentina, Uruguai dhe Kolumbia, është arrestuar gjatë ndërhyrjes në Atlantik.
Sipas autoriteteve spanjolle, shqiptari dyshohet se kishte një rol të veçantë në operacion, duke vepruar si një lloj “noteri” për organizatën kriminale që priste ngarkesën, për të dëshmuar se transporti po zhvillohej sipas planit.
Të arrestuarit dyshohen për vepra penale që lidhen me pjesëmarrjen në organizatë kriminale, kontrabandën dhe trafikimin e narkotikëve.
Hetimi drejtohet nga autoritetet gjyqësore spanjolle dhe mbetet i hapur, ndërsa pritet të zbardhet plotësisht rrjeti që qëndron pas transportit të ngarkesës së kokainës.
The post Jahti me 2.1 ton kokainë kapet në Atlantik, në pranga edhe shqiptari, zbardhen detajet e operacionit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


