Dënimi i krerëve të UÇK-së/ Evarist Beqiri: Të mos ndajmë interesin kombëtar, pa ndërkombëtarët s’e merrnim dot lirinë
Analisti Evarist Beqiri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe zhvillimet politike e juridike që priten të pasojnë këtë vendim.
I ndalur te roli i PDK-së dhe sfida parlamentare në Prishtinë, Beqiri u shpreh: “Krerët e UÇK-së vijnë kryesisht nga PDK dhe kjo parti ka qëllim të rikthejë kauzën e tyre në Parlamentin e Kosovës. Për të ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale është një betejë në Parlamentin e Kosovës që kërkon vota. PDK nuk i ka votat dhe kjo i mbetet Parlamentit në tërësi. Parlamenti e ka votuar këtë gjykatë, edhe pse ajo operon në Hagë dhe është me personel ndërkombëtar, por ka dalë nga ky Parlament dhe gjykon bazuar në Kodin Penal të Kosovës.”
Lidhur me raportin me aleatët perëndimorë dhe rrugëtimin e Kosovës, analisti theksoi: “Rrugëtimi i Kosovës ka ulje-ngritjet e veta dhe raporti me ndërkombëtarët është tejet i rëndësishëm. Kosova nuk është projekt vetëm shqiptar në rajon, është ngritur si shtet dhe vijon të mbahet në këmbë me mbështetjen e fortë të faktorit ndërkombëtar. Kosova nuk u çlirua nga forca jonë ushtarake, ekonomike e politike si shqiptarë, sepse nuk ishim të zotë ta bënim këtë. Pa suportin ndërkombëtar Kosova nuk merrte dot lirinë e saj.”
Mbi vendimin e shkallës së parë dhe betejën e ardhshme juridike në Apel, Beqiri zbuloi se çfarë mund të ndodhë me ish-krerët e UÇK-së.
“Vendimi i dënimit për ish-krerët e UÇK-së nuk është ai që do të donim. Vendimi nuk është i formës së prerë dhe do të shkojë në Apel. Ka mundësi hipotetike për t’u ndryshuar. Në parim ka mundësi të korrigjohet si vendim nëse ka hapësira, mund të ketë ulje dënimi. Éshtë një betejë juridike. Mund të kërkojë muaj, por edhe vite. Kërkon kohë. Duhet parë me kujdes procedura si funksionon.”
Gjithashtu, ai ngriti shqetësimin mbi mungesën e llogaridhënies nga ana e Serbisë për krimet e luftës: “Drejtësia për shqiptarët është vendosja e drejtë e raporteve për krimet serbe që janë kryer gjatë luftës. A mban kush përgjegjësi për varret masive, përdhunimet, të zhdukurit, etj.? Deri tani jo. Serbia ka luajtur që në kohën e Titos me politikën e të qenit vend i paangazhuar, duke mbajtur raporte me Perëndimin dhe Lindjen. Europa përpiqet të mbajë Serbinë në orbitën perëndimore, por Serbia ka një lidhje historike me Rusinë.”
Në përmbyllje, Beqiri bëri thirrje për një qasje më strategjike nga politika shqiptare: “Politika shqiptare mund të kishte bërë më shumë, nuk diskutohet. Nëse do të shikojmë interesin kombëtar të ndarë mes Shqipërisë dhe Kosovës do të bëjmë gabim të madh strategjik. Fqinjët tanë punojnë me strategji dhe plane afatgjata, ne nuk kemi qenë në gjendje ta bëjmë këtë. Kur na bien fatkeqësi të tilla fillojmë dhe akuzojmë njëri-tjetrin për tradhti dhe kthehemi në viktima të fatit. Kjo Gjykata Speciale është ngritur me mbështetje edhe të SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtarë.”
The post Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së/ Evarist Beqiri: Të mos ndajmë interesin kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës! Ja çfarë mund të ndodhë në Apel appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


