Nga Mentor Kikia
Vendimi i Gjykatës Speciale të Kosovës ka hapur “Kutinë e Pandorës” në Kosovë. Pas gjyqit në Hagë, ka shpërthyer një tjetër gjyq ndaj katër ish krërëve të UÇK-së, por edhe të tjerëve që nuk janë në bankën e të akuzuarve. Bëhet fjalë për dëshmi dhe akuza publike, për vrasjen e ish bashkëpunëtorëve apo rivalëve politikë, gjatë dhe pas luftës.
Intervista, kujtime, rrëfime, të përjetuara e të dëgjuara. Veç rastit të Behajdin Allaqit, referuar edhe nga gjykata ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, lista e viktimave të pretenduara, është zgjatur.
Ish presidentja Vjosa Osmani, ndërsa kujtoi Kolonel Ahmet Krasniqin, në përvjetorin e vrasjes, bën thirrje për drejtësi: “Një shtet që respekton të rënët e vet nuk pajtohet kurrë me heshtjen për vrasjet e tyre. E vërteta dhe drejtësia janë detyrim ndaj historisë, ndaj familjes së tij dhe ndaj brezave që do të vijnë”.
Edhe Lumir Adbixhiku ishte në të njëjtën linjë, gjatë homazheve për kolonelin. “LDK do të kërkojë përjetësisht zbardhjen e vrasjes së tij dhe të të gjitha vrasjeve politike. Ky zotim nuk skadon dhe këtë përgjegjësi që do ta bartim brez pas brezi. Deri në të vërtetën. Deri në drejtësi”
Për vrasjen e Krasniqit(21 Shtator 1998- në Tiranë), ish ministër i mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës, në mërgim, nuk ka asnjë autor të dyshuar. Por shumëkush drejton gishtin nga ish njerëz të UÇK-së dhe shteti shqiptar.
Por çdo ngjarje duhet parë edhe në kontekstin kohor.
Kosova u fut në luftën çlirimtare, kur nuk ishte shtet. Nuk kishte një ushtri zyrtare. Nuk kishte struktura për mobilizim ushtarak. Kishte një qeveri hije, që jetonte në Zvicër me kontributet të emigrantëve, por nuk mund të ushtronte asnjë funksion. Kishte edhe një formacion ushtarak FARK(Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës), që ishte pjesë e LDK-së, së Ibrahim Rugovës. Ndërsa UÇK lindi si një forcë e re ushtarake guerrile.
Në 1997-1998, Shqipëria ishte pazari i madh i armëve, ku ngarkoheshin kamionë e me mushka për të furnizuar grupet e luftëtarëve në Kosovë. Qeveria Socialite, që erdhi në pushtet në mars 1997, mbante anën e UÇK-së, ndërsa Sali Berisha në opozitë, mbështeste FARK-un dhe LDK-në. Në Shqipëri kishin baza si UÇK-ja ashtu dhe FARK-u, ku bëhej mbledhja e armëve, rekrutimi dhe stërvitja e luftëtarëve. Edhe pse armiku ishte Serbia, sërish mes UÇK-së dhe FARK-ut kishte rivalitet. Kush do të komandonte në luftë dhe kush do të kontrollonte pushtetin që do të vinte pas luftës. Secili grup ushtarak kishte mbështetjen e vet politike në Tiranë dhe për pasojë edhe infrastrukturën e mbledhjes dhe transportit të armëve. Shumë grupe kriminale që përgjakën vendin, e kanë origjinën edhe tek ky rivalitet. Por, më shumë se kaq, Kosova rrezikonte të përsëriste historinë tonë në Luftën II, kur më shumë se me Ushtrinë Gjermane, luftuam mes nesh, ca si Partizanë e ca si Ballistë.
Madje, atë kohë kishte dyshime se edhe në kryengritjen që shpërtheu pas vrasjes së Azem Hajdarit në 12 Shtaor 1998, kishte pjesëtarë të FARK-ut që kërkonin të përmbysnin qeverinë në Tiranë. Kjo e thelloi edhe më shumë luftën politike në Shqipëri dhe në Kosovë.
Situatën e zgjidhi SHBA, kur vendosi të mbështesë UÇK-në dhe ta njohë atë si partner në luftën që do të sillte më pas çlirimin e Kosovës.
Sfondi në të cilin u organizua e u armatos UÇK-ja nuk ishte një shesh xhirimi filmi, por një skenë ku gëlonmin korrierë armësh, kamionë e karvanë mushkash që kalonin në malet e Tropojës dhe Kukësit, rekrutues luftëtarësh dhe oficera trajnues, reparte ushtarke ku të rinj që vinin nga vendet e Perëndimit mësonin si të shkrepnin armën për herë të parë, para, shumë para, banda kriminale që transportonin armë e vrisnin njëri-tjetrrin në përpjekje për të kontrolluar trafikun, heronj dhe spiunë, politikanë të ndershëm e sharlatanë, shtetarë atdhetarë që kalonin armët nga porti i Durrësit “kontrabandë”, dhe doganierë matrapazë që bllokonin armët për rryshfet.
Lufta, sado e drejtë dhe çlirimtare, nuk është kurrë një biznes i pastër, i cili dorëzon rregullisht faturat fiskale në zyrën e tatimeve.
Në këtë gjurulldi të madhe, padyshim që ka patur edhe përplasje “brenda llojit”.
Lufta për të kontrolluar Komandën e Luftës Çlirimtare!
Lufta për ruajtur grupet guerile nga infiltrimet serbe!
Lufta për të pastruar rrugën nga rivalët për pushtetin që do të vinte pas çlirimit!
Drejtësia është e mirëpritur, kurdo që të vijë dhe ndaj kujtdo që të bjerë. Sot, ajo po bëhet në dy forma: Njëra sipas gjykatës dhe si vijim i saj, gjyqi publik, ku gjithkush, me fakte e pa fakte, me të thënë e me të dëgjuar, po flet e po dëshmon për të bëra e të pabëra. Ndërsa tjetra, qytetarët që kërkojnë lirimin e tyre, duke çmuar luftën dhe kontributin e tyre për Lirinë e Kosovës.
Dënimi i katër ish krerëve të UÇK-së, sado që është një masë personale dhe sado që gjykata u kujdes të thotë se lufta dhe misioni i saj nuk cënohen, e ka dëmtuar imazhin e UÇK-së, e ka cënuar luftën dhe mund të kenë pasoja për shtetin e Kosovës në të ardhmen.
Hapja e “Kutisë së pandorës”, për ato që kanë ndodhur në 1998-2000, mund ta thellojë konfliktin politik në Kosovë, por mund të rrezikojë edhe hakmarrjet. Ndaj kjo valë dëshmish publike duhet të ndalet. Rasti i Idriz Rrecaj, eshtrat e të cilit u gjetën në një varrezë masive në Zubin Potok para pak ditësh, për vrasjen e të cilit denoncues publikë me të shkuar të errët në raport me shërbimet serbe, kishin akuzuar UÇK-në, Thaçin e Veselin, tregon se jo çdo gjë që thuhet është e vërtetë.
Kosovës sot, si shtet e si shoqëri, i duhet të menaxhojë zemërimin e ligjshëm popullor për dënimin e ish komandantëve të Luftës Çlirimtare dhe të mbështesë me çdo mjet procesin e apelimit.
Sido të jetë fundi i gjyqit, asaj i duhet të menaxhojë të “vërtetën” sipas gjykatës, të “vërtetën” sipas “dëshmitarëve”, si dhe të “vërtetën” sipas Historisë.
Në fund, Kosova mbi të gjitha.
Historia do ti japë gjithkujt atë që ka meritur, sipas asaj që ka bërë.
Foto: Tropoje 1998; Rekrute kosovare duke u strevitur dhe “pazari” i armeve.
The post Rreziku nga hapja e “Kutisë së Pandorës” në Kosovë! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


