Nën tinguj të këngëve, “Rroftë Serbia” dhe “Kosova jonë” dhjetëra qytetarë, shumica prej tyre pensionist, me flamuj të Serbisë dhe të Maqedonisë u mblodhën rrugëve të Kumanovës, përkatësisht para Konsullatës së Serbisë në këtë qytet, në kuadër të një tubimi mbështetës për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Organizatorë të “tubimit” janë shoqata maqedono-serbe, e cila kishte bërë thirrje publike për pjesëmarrje dhe mbështetje ndaj politikave të presidentit serb. Qytetarët fillimisht u grumbulluan në qendër të Kumanovës dhe më pas marshuan drejt Konsullatës së Nderit të Serbisë, duke mbajtur flamuj dhe pankarta mbështetëse.
Organizatorët thanë se qëllimi i tubimit ishte promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, duke shprehur njëkohësisht përkrahje për politikat e Vuçiçit.
ORGANIZATORE
“Jemi këtu si organizatë, jo si parti politike, 99% këtu janë serb me nacionalitet. Por, duhet të jem realiste këtu janë edhe numër i madh i qytetarëve maqedonas. Të gjithë e ndjekim politikën e tij, (Vuçiqit) dhe veprimeve të tij. E mbështesim për zhvillimin që e bëri në Republikën e Serbisë. Këtu jemi si organizatë e serbëve që të japim njëfarë mbështetje dhe respekt për veprimtarinë e tij. Ndërsa nëse flas nga perspektiva personale dhe nga zemra, jamë shumë e lumtur që jemi mbledhur këtu”.
Megjithatë, organizimi ka nxitur reagime politike në vend. Nga opozitarja LSDM kanë kritikuar ashpër këtë aktivitet.
Andrej Zhernovski nga partia opozitare e ka cilësuar si ndërhyrje në çështjet e brendshme politike dhe ka akuzuar partinë në pushtet VMRO-DPMNE se qëndron pas mobilizimit të qytetarëve për këtë tubim. Zhernovski tha se institucionet duhet të sqarojnë rolin e organizatorëve dhe mbështetjen eventuale politike pas këtij aktiviteti.
ANDREJ ZHERNOVSKI
“Kjo heshtje është prova më e mirë e politikës së tyre dyfytyrëshe. Nuk është problem përzierja në politikën e një shteti tjetër — problem për ta është vetëm kush e bën atë. Vetëm imagjinoni çfarë do të ndodhte sikur nesër në Maqedoni të organizohej, për shembull, një tubim në mbështetje të Radevit. Mickoski, Mucunski dhe e gjithë rrjeti i tyre mediatik orbanist do të bërtisnin për “ndërhyrje në punët e brendshme”, “rrezikim të sovranitetit”, “tradhti kombëtare” dhe do të mbanin konferenca për shtyp çdo dy orë”.
Kjo është hera e parë që një tubim i tillë realizohet në Maqedoninë e Veriut dhe cilësohet si kundër-përgjigje e protestave që po mbahen në Serbi, kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Qarqe të caktuara opozitare përgjegjës për këtë protestë e kanë bërë edhe zv. kryeministrin dhe ministrin Ivan Stoilkoviq i cili në Qeverinë aktuale është si partner dhe kryetar i partisë serbe në RMV.
Mevludin Imeri /SHENJA/

