Universiteti i Tetovës ndërron mendje për studimet e disperzuara në Shkup. Pas mbështetjes që u dha studentëve Ministria e Arsimit, se ata të cilët kanë filluar studimet në Shkup, të njejtit do t’i vazhdojnë studimet aty, edhe Universiteti i Tetovës solli vendim që studimet e disperzuara të mos tërhiqen nga Shkupi.
Ndërkaq në njoftimin e Universitetit të Tetovës thuhet se kanë qenë spekulime të gjitha pretendimet për mbylljen e studimeve të disperzuara në Shkup.
Universiteti i Tetovës
“Me qëllim të evitimit të të gjitha spekulimeve dhe paqartësive, që po përhapen në opinionin publik, i njoftojmë studentët tanë, prindërit e tyre dhe mbarë opinionin publik se, udhëheqësia e Universitetit vijon angazhimet e saja institucionale për organizimin e studimeve të disperzuara në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë”.
Ndërsa studentët demantojnë universitetin dhe thonë se janë bazuar në vendimin e këtij universiteti dhe në takimet që i kanë mbajtur me përfaqësues të tyre, të cilët u kanë thënë se të gjithë studentët do të transferohen në Tetovë, ndaj ata morën iniciativën si për peticionin ashtu edhe për protestën.
Enes Sherifi, student
“Nuk ka pasur spekulime, nuk ka pasur keqkuptime. Ne nuk kemi marrë një hap të këtillë kokë në vete si iniciator, këtë e kemi marrë gjithë gradualisht, për arsye të mungesës së orarit. Ne mbetëm në qiell të hapur, me një fjalë as në Tetovë dhe as në Shkup…Pas dy takimeve që i patëm në UT, na thanë se është sjellur vendim, këtu nuk them se me shkrim nga ana e rektoratit që disperzioni i Shkupit do të transferohet në Tetovë….Padyshim se pas vendimit të Ministris së Arsimit, ndryshoi edhe mendimi i UT-së dhe u arrit ai qëllim që e kishim ne si student, për qëndrimin e disperzimit të Shkupit këtu”.
Studentët në takimin e mbajtur ditën e djeshme me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, ata u thanë se në periudhën e fundit kanë pranuar një numër të madh të ankesave nga studentët të cilët janë regjistruar në, prandaj ata sigurojnë studentët që studimet e disperzuara, për studentët tashmë të regjistruar do të vijojnë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Theksojmë se universitetet në të cilët mësimi zhvillohet në studime të disperzuara, me konkursin për regjistrim dhe marrëveshjet e arritura për studim, janë kryer për t’iu mundësuar studentëve të studiojnë në këto studime. Ndryshimi i kushteve për studim që kur kanë filluar studimet, në kundërshtim me vullnetin e studentëve, nënkupton mos rrespektimin e marrëveshjes së arritur. Universitetet duhet t’iu mundësojnë studentëve të kryejnë studimet e tyre, në përputhje me kushtet të cilët janë regjistruar”.
Vendimi për vazhdimin e studimeve të disperzuara në Shkup nënkupton vetëm vazhdimin e studimeve për studentët të cilët tashmë janë të regjistruar në këtë universitet, pra nuk do të ketë regjistrim të studentëve të rinjë.

