Me të njëjtat tekste shkollore të cilat kishin gabime të shumta gjuhësore dhe drejtshkrimore, por edhe fakte të shtrembëruara në përmbajtje, nxënësit do të mësojnë edhe këtë vit. Shumë herë në tekste janë hasur fjalë ofenduese dhe me informata të gabuara për shqiptarët, libra me gabime skandaloze profesionale si dhe gabime drejtshkrimore dhe me po të njëjtat libra nxënësit do ta fillojnë edhe këtë vit shkollor. Kjo për shkak se sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska nevojitet fillimisht ndryshim i ligjit për teskte shkollore, e pastaj edhe një procedurë që kërkon kohë të gjatë deri në finalizim të teksteve që do t’i zëvendësojnë tekstet paraprake.
“Procesi i revizionit të teksteve, unë këtë e bëra të ditur edhe më herët, nuk mund të kryhet shpejt. Vendosëm që për tekstet të mos shkojmë për zëvendësim individual të secilit libër, por do të filloj proces i revizionit të plotë, së pari në planin e mësimdhënësve, programet e pastaj edhe për tekstet”, tha ministrja.
Deskoska po ashtu njoftoi se javën e kaluar kanë dërguar një njoftim tek të gjitha shkollat për të cilat edhe është krijuar një aplikacion, në mënyrë që gjithë mësimdhënësit të kenë mundësi që t’ njoftojnë për gabimet dhe problemet nëpër tekste. Por, përmes këtij aplikacioni mësimdhënësit do të duhet që në mënyrë të fshehtë nga drejtorët e tyre, të ju përgjigjen pyetjeve që do të parashtrohen nga ana e ministrisë dhe gjithë kjo duhet të kryhet deri më 15 shtator. Emine Ismaili /SHENJA/

