E ndjejmë si obligim dhe borxh para qytetarëve të komunës së Likovës që të bëjmë diçka për ta, andaj edhe i kemi hyrë kësaj gare për të marrë drejtimin e komunës. Kështu tha në emisionin “Studio e hapur”, Bekim Afuzi, kandidatë i Aleancës për shqiptarët, për komunën e Likovës.
“Deri tash nuk është bërë asgjë. Ju jeni vet dëshmitarë, se komuna e Likovës ballafaqohet me infrastrukturë të dobët, me ujë që nuk ka, kur e dimë se Likova posedon dy penda. Shpresa e qytetarëve të Likovës shuhet për një të ardhme në atë vend”, tha Afuzi nga “Aleanca për Shqiptarët.
Nga ana tjetër Bardhyl Destani nga PDSH, deklaroi se komuna e Likovës është një ndër komunat më të pazhvilluara në Maqedoni.
“Platforma e PDSH-së do të dale nga duart e qytetarëve, do të jetë shumë e detajuar. Gjithçka është e nxjerrë nga kërkesat e banorëve të komunës së Likovës”, tha Bardhyl Destani.
Shaban Zendeli nga Lëvizja BESA tha se panorama në këtë komunë nuk ka ndryshuar pothuajse fare pas luftës së 2001-it dhe se ata dëshirojnë që të kthejnë komunën në duart e banorëve.
“Qëllimi është që së pari komunën dhe institucionet komunale t’ia kthejmë banorëve të Likovës, për shkak se deri tani, komuna në një farë mënyre ka qenë e uzurpuar, nga partia në pushtet, ose thënë më mirë nga një grup njerëzish të BDI-së”, deklaroi Zendeli në emisionin “Studio e hapur” në TV SHENJA.

