Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët kanë lënë mundësi të hapur për bashkëpunim në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Kështu deklaruan për Televizionin Shenja, në Studion e Hapur, nënkryetarët e të dyja partive. Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, tha se ata me Aleancën për Shqiptarët e kanë lënë të hapur mundësinë që të bashkëpunojnë dhe të mbështesin kandidatët e njëri-tjetrit në rrethin e dytë të zgjedhjeve. Ai shtoi se kjo është një bazë e mirë për bashkëpunim edhe pse nuk është një marrëveshje përfundimtare.
Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i Lëvizjes BESA
“Sa i përket bashkëpunimit tonë me Aleancën për shqiptarët, në bisedimet që i kishim për të bashkëpunuar për një koalicion të mundshëm parazgjedhor në zgjedhjet lokale, meqë nuk arritëm të merremi vesh e lamë mundësinë e hapur që ne të bashkëpunojmë në rrethin e dytë në ato komuna ku do të garojmë, ose shkojmë në rrethin e dytë, qoftë ne ose ata. Nuk mund të them se kjo është një marrëveshje përfundimtare, por është një bazë që ne mund të flasim për të bashkëpunuar.“
Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen BESA, me të cilën, siç tha ai, kanë pasur bisedime për koalicionim që në raundin e parë. Ai shtoi se organet e partisë në ditët në vijim do të mblidhen dhe mbi bazën e rezultateve do të marrin vendim se në çfarë koalicioni do të shkojnë në raundin e dytë.
Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët
“Pa diskutim, ne me lëvizjen BESA kemi diskutuar për bashkëpunim për mundësinë e bashkëpunimit për zgjedhjet lokale edhe para se të futemi në zgjedhje. Gjithsesi se edhe ky opcion është i hapur. Por për atë arsye thash organet e partisë ditëve në vijim sigurisht se do të marrin ndonjë vendim meritor.”
Përndryshe, menjëherë pas daljes së rezultateve të zgjedhjeve lokale, Kandidati i Lëvizjes BESA në komunën e Dibrës, Xhemail Çupi tha se do ta votojnë kandidatin e Aleancës për Shqiptarët, duke theksuar se vota e tyre në rrethin e dytë nuk do të shkojë për BDI-në. Ajnur Bafqari /SHENJA/

