Zyra e Presidentes Gordana Siljanovska Davkova do të kërkojë sqarim për fotografinë para flamurit bullgar të bërë në kabinetin e presidentit të Bullgarisë Rumen Radev, edhe pse, siç theksojnë nga atje, një veprim i tillë nuk ishte parashikuar apo rënë dakord. Nga kabineti thonë se duan ta besojnë që është një shkelje protokollare, jo procedurë e qëllimshme dhe devijim nga ajo që është rënë dakord.
KABINETI I PRESIDENTES
“Ajo që I hodhi hije ngjarjes është devijimi nga protokolli i rënë dakord për takimin, sipas të cilit, nuk duhej të kishte asnjë foto brenda hapësirës së mbyllur. Por për fat të keq, para fillimit të takimit tete-a-tete, presidenti Radev e ftoi presidenten që të bëjnë një fotografi të përbashkët para flamurit bullgar, ndonëse një lëvizje dhe akt i tillë nuk ishte paraparë apo rënë dakord”.
Ndërkaq, fotoja e Siljanovska Davkovës dhe Radevit duke shtrënguar duart para flamurit bullgar në kabinetin e tij ka shkaktuar reagime në vend. Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, këtë ngjarje e cilësoi si një “shkelje dhe poshtërim të paparë të dinjitetit të shtetit dhe qytetarëve të tij”.
VENKO FILIPÇE, KRYETARI I LSDM-SË
“Për herë të parë në historinë e vendit tonë presidenti maqedonas pati një takim me presidentin e një shteti tjetër pa asnjë simbol shtetëror. Për ta bërë skandalin edhe më të madh, në takim mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mutsunski, i cili ishte vetëm dëshmitar i heshtur i aktit të pahijshëm dhe poshtërues”.
Filipçe këtë sjellje e vlerëson si degraduese, ndërsa shton se madje edhe asnjë përfaqësues i delegacionit maqedonas nuk ka reaguar kundrejt kësaj.
Anida Murati /SHENJA/