[embedded content]
Kjo zile është dashur të zilojë në ditën e parë të shkollës.
Në vend se këtu të zhvillohej mësimi, punëtorët ende shtrojnë dyshemenë.
Në javën e katërt të vitit të ri shkollor, 24 nxënës të fshatit Kosturnik vazhdojnë të mësojnë në një objekt të improvizuar privat, ashtu siç kanë mësuar gjenerata të tëra për dy dekada. Në mungesë të hapësirës, në vetëm dy klasa, mësimi zhvillohet i kombinuar, madje nxënësit e klasës së parë mësojnë në zyrën e personelit. Tualet nuk ka!
Arsimtari i fshatit, Femi Xhaferi, thotë se gjatë mësimdhënies has në vështirësi dhe nuk mund t’i kushtojë kohën e mjaftueshme nxënësve, për shkak se njëra paralele mëson matematikë, kurse tjetra mëson gjuhë amtare. Ata duhet ta ndajnë klasën ashtu edhe orën mësimore. Më vështirë do ta kenë gjatë dimrit, ku nuk kanë me çfarë të ngrohen.
“Në kushtet që kemi punuar në këto 25 vjet, kanë qenë dhe janë të vështira, mungesë e objektit, lokali joadekuat për mësim, me klasë të kombinuara ku kemi edhe mungesë të një klase ku zhvillohet mësimi.”, deklaroi arsimtari, Femi Xhaferi.
Ndonëse në 2016-në me vetiniciativë të banorëve u vu themeli i shkollës së re, ky objekt sot e kësaj dite mbetet i papërfunduar. Kryetari i Bashkësisë lokale, thekson se nuk kanë pasur mbështetje institucionale për asnjë projekt.
Sipas Qailit, mjetet e mbledhura nga shoqatat humanitare nuk po mjaftojnë që në këtë shkollë të fillojë mësimi.
“Për inventarin, për banka e karrige kemi nevojë, por nëse nuk na ofrohen ne do t’i transferojmë nxënësit. Kështu që në dysheme, me këto kushte siç po e shihni do ti qesim nxënësit nga objekti vjetër në objektin e ri shkollor. Deri më tani kemi punuar edhe për ngrohjen qendrore, shporetin e kemi blerë, por na mungojnë edhe radiatorët për sistemin e ngrohjes qendrore.”, deklaroi kryetari i Bashkësisë lokale në “Kosturnik”, Qahil Qaili.
Edhe banorët thonë se janë lodhur nga neglizhenca e institucioneve kompetente, andaj kërkojnë nga njerëzit bamirës që të kontribuojnë sadopak në përfundimin e këtij objekti me 4 klasa, prej 160m2. Sipas projektit e gjithë shkolla do të përfundojë në koston e 30 mijë eurove, por arkitekti thotë se ka ende punë për tu bërë.
Shoqata shqiptaro-austriake “QSA” i erdhi në ndihmë kësaj iniciative duke shtruar dyshemenë me PVC dhe pllaka.
“Gjithashtu, unë do t’ju kisha bashkangjitur edhe apelin e kryetarit të fshatit, për donacione të reja, për mundësi të reja se kjo shkollë realisht ka nevojë ende për punë. Ka nevojë të bëhet izolimi i shkollës nga jashtë, për sigurimin e inventarit brenda, por ka nevojë edhe për rrethimin e oborrit nga jashtë.”, deklaroi Baki Ukshini nga Shoqata “Qendra Solidaritetit dhe Avancimit”.
Nga Komuna e Kumanovës thonë se aktualisht për shkollën e fshatit Kosturnik, mund të rregullojnë vetëm dokumentacionin e objektit për legalizim me procedurë të përshpejtuar. Kurse, nga Ministria e Arsimit, thonë se fshati është i vogël dhe nuk vjen në rend të prioriteteve për arsim fillor. Nga kryesia e fshatit, thonë se te ministria kanë adresuar kërkesë prej dy vjetësh, që të paktën të sigurojnë inventarin e shkollës, por nuk kanë marrë përgjigje.
Përgatiti: Adnan Qaili

