Pushteti vendor në Dibër, krahas aktiviteteve të parapara në programet e tij të punës, i kushton vëmendje të veçantë edhe bashkëpunimit me institucionet arsimore në funksion të zhvillimit të komunitetit lokal. Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, realizoi një vizitë pune në International Balkan University, ku u prit nga përfaqësues të universitetit për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy palëve. Gjatë takimit u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit, i cili parashikon një sërë aktivitetesh dhe iniciativash të përbashkëta në fushën e arsimit, trajnimeve profesionale, zhvillimit të rinisë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Ky bashkëpunim do të mundësojë organizimin e seminareve, punëtorive dhe programeve certifikuese për administratën komunale dhe qytetarët, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta me interes për komunitetin lokal. Një rëndësi e veçantë iu kushtua krijimit të mundësive për praktikë profesionale të studentëve në sektorët e Komunës së Dibrës, përfshirjes së tyre në projekte kërkimore dhe aktivitete në shërbim të komunitetit, si dhe mbështetjes së programeve rinore, kulturore dhe sociale.
Po ashtu, palët diskutuan bashkëpunimin në fushën e transformimit digjital, zhvillimin e zgjidhjeve inovative dhe realizimin e projekteve sipas konceptit “Qytet i Mençur” (Smart City), me qëllim përmirësimin e shërbimeve komunale dhe rritjen e efikasitetit institucional. Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike me institucionet akademike, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e kapitalit njerëzor, avancimin e dijes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Në një takim të zhvilluar më herët në Dibër ndërmjet përfaqësuesve të International Balkan University dhe kryetarit të komunës, Fisnik Mela, u diskutua edhe për zgjerimin e aktiviteteve të universitetit në këtë qytet. Me këtë rast u theksua se gastronomia dhe fizioterapia janë programe studimore me potencial të madh zhvillimi në Dibër, duke pasur parasysh nevojat e tregut dhe mundësitë që ofron rajoni. (koha.mk)


