Shaban Zendeli nga Lëvizja BESA tha se me ardhjen e tyre në krye të komunës së Likovës do të fillojë një jetë e re për banorët e kësaj komune. Ai tha se me ardhjen e tyre do të furnizojnë me ujë të pijshëm të gjitha vendbanimet, përfshirë këtu edhe ndërtimin e filtër stacionit për pastrimin e ujit nga penda e Likovës.
“Projekti është vetëm duhet të sigurohen mjete. Ne jemi të bindur se do të sigurojmë mjete nga Banka Botërore, institucionet komunale aq sa kanë mundësi, pastaj do të shfrytëzojmë USAID-in, TIKA-në dhe gjitha institucionet relevante, dhe garantojmë se brenda afatit të ardhshëm katër vje¬çar e gjithë komuna e Likovës do të jetë e pajisur me ujë të pijshëm nga sistemi i ujësjellësit të komunës së Likovës”, deklaroi Shaban Zendeli, duke shtuar se i tërë projekti kushton diku 7 milionë euro.
Ai tha se projekti tjetër është shtrirja e kanalizimit për ujë të zeza në të gjitha vendbanimet.
“Asfaltimi i rrugëve dhe rregullimi i trotuareve. Hapja e një rruge e fushës nga Ropalca deri në fshatin Novosellë. Meremetimi i rrugëve të dëmtuara. Ndriçimi publik funksional për të gjitha vendbanimet. Rregullimi i një deponie për hedhjen e mbeturinave”, ka thënë Shaban Zendeli nga Lëvizja BESA, në emisionin “Studio e hapur” në TV SHENJA.
Duke folur për uljen e papunësisë, Shaban Zendeli nga Lëvizja BESA tha se është një problem madhor për shkak se shumica e banorëve të Likovës ballafaqohen me papunësinë. Ai shtoi se do të krijojnë kushte për krijimin e vendeve të reja të punës në zonën ekonomike në Likovë.

