Sot zyrtarisht u promovua aplikacioni “M Shërbime” aplikacion nacional për telefon i Ministrisë së Transformimit Digjital në të cilim qytetarët e RMV-së do të mund që dokumentet e tyre personale t’i kenë në telefon. Letërnjoftimi dhe patentshoferi janë ndër dokumentet e para të cilat do të jenë të disponueshne në telefon, ndërkaq qytetarët përmes një aplikacioni të vetëm do të mund të kenë qasje edhe në shërbimet elektronike të shtetit. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pret që aplikacioni i ri t’ua lehtësojë qytetarëve qasjen në shërbimet publike, të ulë barrën administrative dhe të shkurtojë kohën e nevojshme për përfundimin e procedurave.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Pak më parë pamë një dokument personal në telefonin celular dhe qasjen në shërbimet publike përmes një aplikacioni të vetëm. Kjo mund të duket e thjeshtë, por pas saj qëndron një ndryshim shumë më kompleks: institucionet të shkëmbejnë të dhëna, procedurat të thjeshtohen dhe qytetari të mos jetë më hallka lidhëse mes pjesëve të ndryshme të administratës. Pikërisht kjo, për mua, është thelbi i transformimit digjital”.
Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski tha se përderisa për shumë njerëz çështja e një dokumenti nënkuptonte sportele, orar pune dhe kaos aplikacioni “m shërbime” është pikërisht çelësi i cili do t’i zgjidhë këto probleme.
STEFAN ANDONOSKI, MINISTËR I TRANSFORMIMIT DIGJITAL
“Me m.Shërbime, po fillojmë ta ndryshojmë pikërisht këtë marrëdhënie. M shërbime është konceptuar si një pikë e vetme e qasjes përmes telefonit celular në shtetin digjital, duke ofruar identitet digjital, dokumente elektronike, shërbime publike dhe njoftime në një vend të vetëm, ndërsa në fazat e ardhshme parashikohen edhe pagesat e integruara. Aplikacioni është falas dhe përdorimi i tij është plotësisht vullnetar. Ai përfaqëson një kanal shtesë, më të shpejtë dhe më të thjeshtë për qasje në shërbimet publike dhe dokumentet elektronike, pa i shfuqizuar mënyrat e tjera përmes të cilave qytetarët mund të komunikojnë me institucionet”.
Andonovski tha se aplikacioni është falas dhe i disponueshëm për Android dhe iOS, ndërsa përdorimi i tij është vullnetar. Përdoruesi identifikohet përmes eID për Identifikim të Vetëm, pas së cilës mund të shtojë dokumentet personale të mbështetura nga aplikacioni, të ketë qasje në shërbimet elektronike, të ndjekë kërkesat e paraqitura dhe të shkarkojë dokumentet e lëshuara.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



