Ramush Haradinaj, ish-kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka theksuar se partia e tij nuk do të angazhohet në asnjë lojë politike me kryeministrin Albin Kurti.
Ai theksoi se Aleanca ka ngritur shqetësime të rëndësishme lidhur me sektorin e energjisë, tenderët njëburimorë dhe pretendimet për ndërhyrje në sistemin gjyqësor dhe prokurorinë.
Haradinaj nënvizoi se AAK-ja ka kërkuar interpelancë për situatën e energjisë dhe për abuzimet që ndodhin në tregtinë e energjisë, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie.
“Ne nuk do të bëhemi pjesë e takimeve me Kurtin, por do të vazhdojmë të kërkojmë interpelancë për situatën energjetike dhe abuzimet që po ndodhin. Kemi ngritur zërin për tenderët njëburimorë dhe për ndërhyrjet në institucionet e pavarura,” tha ai në një video të shpërndarë në Facebook.
Duke u ndalur në sulmet që po i bëhen Aleancës, Haradinaj theksoi se ato nuk janë personale, por lidhen me qëndrimin e partisë përballë qeverisë aktuale.
“Sulmet ndaj nesh nuk kanë të bëjnë me emrin tim, por me faktin se Aleanca nuk do të nënshtrohet para regjimit,” shprehu ai me bindje.
Ai gjithashtu theksoi se AAK-ja është e kujdesshme të mos e keqpërdorë tragjedinë e askujt dhe se ka ruajtur vlerat e familjes shqiptare.
Haradinaj pretendoi se sulmet dhe shpifjet ndaj partisë së tij janë të motivuara nga frika se qytetarët do të dalin në rrugë për të protestuar ndaj padrejtësive që po përjetojnë.
“Ata po përdorin shpifje dhe sulme të ndryshme ndaj nesh, sepse frikësohen se qytetarët do të revoltohen dhe do të dalin në rrugë për të kundërshtuar padrejtësitë. Nëse qytetarët vendosin të protestojnë, ne do t’i mbështesim. Asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi regjimit të Kurtit,” përfundoi Haradinaj.



