Policia ka arrestuar tashmë ish kryetarin e komunës Gjorçe Petrov që ishte nga radhët e VMRO DPMNE-së. Lajmin e kumtoi Prokuroria Themelore e Shkupit e cila shpjegoi se Mitrevski është i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Mitrevski ishte arrestuar në orët e para të ditës edhe me nëntë persona të tjerë që llogariten si bashkëautor, nën dyshimin se ka privatizuar një tokë publike të komunës. Fillimisht Sokol Mitrevski kishte legalizuar tre objekte të paligjshme që gjendeshin në tokën publike, dhe më pas parcela ishte shitur për çmim shumë më të ulët se sa ka mundur të shitet në procedurë normale të shitblerjes. Pas privatizimit, toka është shitur për 1 euro metër katrorin. Prokuroria pohon se dëmi i shkaktuar nga shitja e tokës është mbi 66 mijë euro.
“Prokuroria Themelore e Shkupit ka ndërmarrë veprime kundër më shumë personave të përfshirë në privatizimin e paligjshëm të një parcele në pronësi të një komune. Privatizimit i ka paraprirë procedurë për legalizimin e tre objekteve që kanë qenë të paligjshme dhe pastaj është bërë privatizimi i parcelës. Kështu është mundësuar që toka të shitet me çmim prej 1 euro për metër katror edhe pse çmimi i tregut në një ankand të rregullt do ishte shumë i lartë”, thuhet në komunikaën e Prokurorisë Themelore – Shkup.
Edhe pse fillimisht lëshoi fletëarrest, Prokuroria Publike më vonë njoftoi gazetarët se nuk ka kërkuar paraburgim për Mitrevskin. Për shumicën e të dyshuarve u kërkuan masa alternative si marrja e pasaportës dhe obligimi që të paraqiten një herë në javë në gjykatë.
Partia amë e Sokol Mitrevskit VMRO DPMNE e quajti arrestimin si përndjekje politike ndaj gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga LSDM, e sidomos ndaj anëtarëve të VMRO DPMNE-së. Ivica Konevski nga LSDM tha se LSDM-ja ka nevojë për defokusim, prandaj po i keqpërdor institucionet për përndjekje politike anëtarëve të VMRO DPMNE-së. VMRO kundërshton epitetin e kriminelit për ish kryetarin e tyre.
Mitrovski ishte kryetar i komunës së Gjorçe Petrovit nga viti 2005 deri në vitin 2017 ndërsa atë e ka zëvendësuar tani kuadër i LSDM-së, Aleksandar Naumovski i cili për një periudhë të shkurtër, para se të kandidohej për kryetar komune, ishte drejtor i burgut të Shutkës.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

