I akuzuari në Lagjen e Trimave, Nexhmedin Lika e akuzoi prokurorinë për kurdisje të procesit gjyqësor në marrëveshje me disa prej të akuzuarve. Sipas asaj që Lika e tha para trupi gjykues në formë të fjalës përfundimtare, ka shumë prej të akuzuarve që dinë detaje rreth organizimit të luftimeve, por nuk flasin, pasi mbrojnë dikë.
NEXHMEDIN LIKA, I AKUZUAR
“Ngjarja ndodhi në kohëra të vështira, të turbulluara në gjitha sferat, dhe kjo e vështirëson zbardhjen e drejtësisë. Gjithë këtë e ka bërë prokuroria me disa të akuzuar që kanë patur të thonë shumëçka, por kanë heshtur. Gjithë kjo për interes të dikujt”.
Lika nuk specifikoi se cilët të akuzuar janë të rezervuar në fjalime dhe cilët persona po i mbrojnë. Vetëm e la të hapur mundësinë që rasti mos të jetë krejtësisht i drejtë dhe i bazuar në prova e fakte.
I akuzuari tjetër Besnik Ajdini, kërkoi llogari prej gjykatës se përse e ka arrestuar dhe përse e akuzon, në bazë të cilave prova ka ardhur në përfundim se ai ka marrë pjesë në luftime dhe i ka ndihmuar grupit. “Çfarë faji kam unë që e kam shtëpinë në Lagjen e Trimave?”, pyeti Ajdini prokurorinë.
BESNIK AJDINI, I AKUZUAR
“Prokuroria kur e dha fjalën e fundit, më akuzoi për vepra të mëdha. Unë nuk i kam bërë këto vepra. Prej ditës që jam arrestuar e deri më sot, nuk kam arritur ta kuptoj përse jam këtu. A kam faj se e kam shtëpinë në vend të gabuar? Të gjithë e dinë se kur kam qenë i arrestuar”.
Avokati i Ajdini ia kujtoi prokurorisë se është kapur në kundërshtim me vetë provat e saj pasi në akuzë ka shënuar se Besnik Ajdini është arrestuar më 10 maj ndërsa në raportin policor dhe fotografitë e mediave, Besniku duket më 9 maj me familjen teksa evakuohet nga lagja.
AVNI KURTISHI, AVOKAT
“Besnik Ajdini është i kapur prej shtëpisë së tij. Ka dalë së bashku me fëmijët. Domethënë nuk ka lidhje as me rastin e as me të akuzuarit e tjerë. Në aktakuzë thuhet se Besnik Ajdini është kapur nga policia ora 16:45 më datën 10 ndërsa dëshmitë që i ka propozuar vetë prokuroria flasin dishka tjetër, se Besniku është arrestuar më 9 maj në ora 09:30”
Avokati Kurtishi i e quajti akuzën të turpshme për shtetin dhe prokurorinë dhe e cilësoi si simulim gjykimi për të treguar aftësinë e prokurorëve. Gjithë kjo sipas tij, për të mbuluar organizatorët e vërtetë të këtij rasti.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

