Vendosjen e tabelës në pikën kufitare në Bllacë pa gjuhën shqipe, kryeministri Hristijan Mickoski, e komenton si pjesë të planit për destabilizim. Mickoski mohoi të jetë faji tek ndonjë institucion, por tha se është te strukturat kriminale që me vite janë pasuruar në kurriz të qytetarëve. Ai shtoi se këta individë kanë marrë informacione se përgjegjësia u është afruar, prandaj janë në panik dhe veprojnë kështu.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Cili institucion është nuk e di, mendoj se nuk është institucion, po mendoj se është pjesë e atij planit për destabilizim të atyre strukturave kriminale që në vitet e kaluara u pasuruan në kurriz të qytetarëve. Të atyre kriminelëve politik që pak nga pak kanë luajtur me institucionet, pak dhanë licenca për videolotari të egra, lotari online dhe kështu me radhë. Mendoj se ata tani janë të frikësuar sepse e dinë, marrin informacione se si ngadalë hetimi afrohet drejt tyre dhe ata të frikësuar tani reagojnë në këtë mënyrë, që ta destabilizojnë shtetin dhe nuk kanë sukses”.
Arben Taravari nga koalicioni VLEN tha se tabela të ngjashme, që nuk shkruhen edhe në gjuhën shqipe ka me qindra në Maqedoni, por nuk janë dramatizuar kështu. Qëllimi, sipas tij ka qenë defokusimi i vëmendjes ndërsa njoftoi se tani do të porositet tabelë e re.
Arben Taravari, VLEN
“Me sa kam informacion, ajo tabelë është ndryshuar me urdhërin e ekipit të ish drejtorit të Ndërmarrjes për Rrugë Publike, kështu që tashmë u zbardh ajo. Tabela të këtilla ka me qindra në Maqedoni, një prej portaleve në gjuhën shqipe e nxorri se edhe një tabelë në kufi mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, ishte vetëm njëgjuhësh, por aty nuk është dramatizuar”.
Mbrëmjen e së premtes në kufirin me Kosovën, në Bllacë, ishte vendosur tabela, në të cilën “Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, nuk shkruhej në guhën shqipe, por vetëm në maqedonisht, anglisht dhe frengjisht. Kjo bëri që të shpërthej një lum reagimesh. BDI fajësoi VLEN-in cila se janë të paaftë dhe shërbëtore të VMRO-së, që po shkatërrojnë të arriturat kombëtare. Reagim kishte edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës. Kurse VLEN tha se do të hetojë se pëese ishte vendosur ajo tabelë. Menjëherë në mëngjes tabela ishte larguar dhe e kishin kthyer tablën e vjetër, në të cilën figuronte edhe gjuha shqipe.
Emine Ismaili /SHENJA/