Komisioni shtetëror i zgjedhjeve, nesër mban seancën e hapur në të cilën do të shqyrtohen 103 ankesat e partive politike për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 29 tetor. Bëhet fjalë për 13 ankesa të Aleancës për Shqiptarët për Strugën, 89 ankesa të Lëvizjes Besa, prej të cilave 86 janë për komunën e Çairit dhe tre për komunën e Tetovës, dhe një ankesë të dërguar nga Lëvizja Popullore e Maqedonisë për votimet në Çashkë. Afati për dorëzimin e ankimimeve ka përfunduar mbrëmë, ndërkaq sipas zëdhënëses së KSHZ-së, Arjeta Xhemaili, shërbimi juridik po e përgatit pasqyrën e të gjitha ankimimeve të pranuara mbrëmë pas mesnate.
“Pas pranimit të ankimimeve komisioni shtetëror ka 48 orë që t’i shqyrtojë të njejtat, megjithatë tani shërbimi juridik është në përgatitje të pasqyrës së të gjithë ankimimeve, të cilat janë pranuar mbrëmë pas mesnatës. Pasi të përgatitet raporti nga ana e shërbimit juridik, KSHZ do ta organizojë seancën e hapur e cila planifikohet ditën e nesërme në orët e paradites“, deklaroi zëdhënësja e KSHZ-së, Arjeta Xhemaili.
Komisioni shtetëror i zgjedhjeve pas pranimit të ankesave është i obliguar në afat prej 48 orësh të sjellë vendim. Kundër vendimit të KSHZ-së, mund të parashtrohet padi në Gjykatën Administrative në afat prej 24 orësh nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, nga ana tjetër, për ankesën obligohet të sjellë vendim në afat prej 48 orësh pas pranimit të saj. Vendimet e Gjykatës Administrative janë përfundimtare.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

