Banorët e Lagjes së Trimave e kanë pritur shumë keq vendimin e djeshëm të gjykatës, që caktoi disa shekuj burg për grupin e akuzuar. Ata thonë se ende janë të tronditur nga vendimet siç i quajnë ata të pa drejta, pasi sipas tyre fajtorët nuk janë ata që morën dënimet maksimale, por fajtorët e vërtetë që duhet dënuar sipas tyre janë pushteti i atëhershëm VMRO-BDI.
“Për vendimin është më mirë të shkosh ta pyesish Gruevskin dhe Ali Ahmetin, ata e dijnë që i kanë bërë pazarllëqet. Ne mjaft trishtimin që e kemi pasur, ata na kanë shkatërruar me neve, me fëmijët, çfarë të them, ata e dijnë shumë më mirë që i kanë marrë parat”, tha një qytetar.
“Nuk është i drejtë, sepse njerëzit që duhet të jenë në gjyqin e Shkupit e të Kumanovës, nuk janë ata. Njerëzit që janë vërtet të pafajshëm, ata janë të dënum maksmimalisht…e dijnë partitë politike, ata që kanë qenë në qeveri”, u shpreh një qytetar.
“BDI-ja këto vetëm lavdërohen, njeriu duhet të jep diçka jo vetëm të flas, duhet ta shef punën se si është”, deklaroi një qytetar.
“Vendimi është katastrofë, kështu është shteti jonë, kemi kriminel në shtet, se dënim me vdekje 40 vjet”, tha një qytetar tjetër.
Banorët e Lagjes së Trimave thonë se ndjejnë shumë keqardhje për personat që gjykata vendosi t’i dënojë. Ata që të gjithë mendojnë se vendimi për denimet e larta që i shqiptoi gjykata e Shkupit, nuk janë aspak të drejta dhe se ata nuk pajtohen aspak me të njejtat.
“Shumë keq më erdhi, më tepër nuk di çfar të them”, deklaroi një qytetar.
“Vendim më i parregullt, kurr nuk ka ndodhur”, u shpreh një qytetar.
“Ky vendim nuk është i drejtë, ata kanë qenë për të drejtat e tona dhe tash t’i denosh pa kurrfarë karakteri, kjo nuk shkruan askund, kurrë nuk ka qenë kjo”, deklaroi një qytetar tjetër.
“Nuk është i drejtë, përshkak që dihet se këto njerëz duhet të lirohen, nuk janë të fajshëm ata, shteti i ka pasur fajet”, tha një qytetar.
Ndërkaq, dje ishte vendimi final i rastit të Kumanovës, nga i cili shtatë persona u dënuan me burg të përjetshëm, 26 u dënuan deri në 40 vite burg dhe vetëm 4 persona u liruan tërësisht.
Emine Ismaili /SHENJA/

