Rreth 5 orë gjykatësit kushtetues debatuan për “balancuesin”. Iniciativa e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsioni, për kushtetuetshëmrinë e përkatësisë etnike si kusht i detyrueshëm për punësimin në sektorin publik, ndau gjykatësit e Kushtetueses në dy pjesë. Gjykatësit kushtetues shqiptarë dhe ato maqedonas përballën argumentet për pranimin ose jo të kësaj iniciative. Gjykatësit shqiptarë u ndalën edhe tek pasojat që mund të ketë sistemi gjyqsor me siç thanë edhe ashtu besimin e ulët të qytetarëve në sistem. Kurse gjykatësit e etnisë maqedonase, që janë shumicë, me këmbngulje mbronin tezën se të punësuarit nuk kanë nevojë që me çdo kusht ta tregojnë përkatësinë e tyre etnike gjatë punësimit dhe përmendën rastet e keqpërdorimeve, duke shtua se të punësuarit e siç i quajtën ata të pakicave janë të punësuar nga partitë.
OSMAN KADRIU, GJYKATËS KUSHTETUES
“Përkatësia kombëtare dhe përfaqësimi i drejtë nga pikëpamja juridike nuk suspendon asnjëherë kushtet ligjore për punësim, nuk suspendon kriteret për punësim, me të cilin pretendohen se punësohen persona të gabuar, nuk eliminon sistemin e meritokracisë. Asnjë konventë ndërkombëtare nuk kundërshton shprehejn e përkatësisë të personit të punësuar. Ajo paraqet të drejtën e tij”.
Kryetari i Kushtetueses. Darko Kostadinovski, duke shprehur qëndrimin e tij për shfuqizimin e mekanizmit të balancuesit, tha se ata nuk shkurtojnë asnjë të drejtë, por i mbrojnë ato.
DARKO KOSTADINOVSKI, KRYETAR I GJYKATËS KUSHTETUESE
“I pranoj të gjitha qëndrimet sado të ndryshme të jenë. Si do të dukeshin pasojat. Ne as nuk heqim, as nuk japim të drejta. Ne i mbrojmë ato. E drejta e askujt nuk shkurtohet, por respektohet sepse ne jemi të obliguar ta respektojmë. Nuk shoh arsye që dikush të shqetësohet nga vendimi ynë. Shembujt që përmendët të Amerikës dhe vendeve të tjera, nuk janë të përshtatshme për ne”.
Iniciativa për “balancuesin” në Gjykatën Kushtetuese është parashtruar nga udhëheqësia e kaluar e Komisionit Antikorrupsion.
Politikanët maqedonas dhe ato shqiptarë në pushtet që nga hyrja e tyre në Qeveri, heqjen e balancuesit e relativizojnë me siç thonë ata zëvendësim me një ligj të ri, i cili do të rregullojë punësimet sipas mekanizmit të meritokracisë. Për këtë gjë disa herë janë kritikuar dhe akuzuar nga partitë opozitare shqiptare.
“Balancuesi” ka qenë vegla për punësim sipas përkatësisë kombëtare në institucionet shtetërore.
Emine Ismaili /SHENJA/