Bashkimi Demokratik për Integrim dhe drejtuesit më të lartë të kësaj partie ishin mbrojtësit më të mëdhenj të VMRO-DPMNE-së, liderit të kësaj partie Nikolla Gruevski dhe marrëdhënieve me këtë parti. Sekretari i BDI-së, Abdilaqim Ademi, ishte prezent edhe në kongresin e 15 të VMRO-së ku para simpatizantëve të kësaj partie, jo më larg se para dy viteve, foli për marrëdhëniet kualitative mes dy partive.
Abdilaqim Ademi, (maj 2015)
“Në fillim do të doja të theksoj kualitetin e bashkëpunimit midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së dhe atë jo vetëm qeverisës por edhe në nivel partiak. Me qëllim them bashkëpunim kualitativ, sepse ajo nuk do të thotë se ne gjithmonë pajtohemi, se nuk kemi çështje të hapura dhe se kohë pas kohe nuk kemi debat serioz. Por, kualiteti i bashkëpunimit nuk vlerësohet në atë se sa ju keni qëndrime të ndryshme në fillim të dialogut”
Ademi në këtë kongres foli edhe për sfidat strategjike të Maqedonisë, si ato të brendshmet ashtu edhe për sfidat gjeopolitike me të cilat ballafaqohet vendi dhe ftoi që të njëjtat ti zgjidhin bashkërisht. Për këtë temë më pas u pronocua edhe ministria e jashtme e Rusisë e cila në një reagim me shkrim, në kuadër të interesave të saj gjeopolitike i doli në mbrojtje VMRO-së dhe BDI-së.
MPJ e Rusisë
“Nën sloganet pseudo-demokratike vazhdon ndikimi i thellë i jashtëm mbi forcat politike në Maqedoni. Qëllimi është i qartë, Perëndimi dëshiron të heq qafe politikanët që nuk i shkojnë përshtati edhe përkundër vullnetit të qartë të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet në favor të koalicionit ‘Për Maqedoni më të mirë’ në krye me Nikolla Gruevskin dhe BDI-së, Ali Ahmeti”
Por përveç Ademit, VMRO-në dhe ish kryeministrin Nikolla Gruevski e pati mbrojtur edhe vetë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Gjatë publikimit të aferës së përgjimeve, Ahmeti e arsyetoi Gruevskin dhe nuk kërkoi përgjegjësi. Ai poashtu e pati mbrojtur Nikolla Gruevskin edhe gjatë bisedimeve në Përzhino duke thënë se nuk kishte dashur të lejojë të poshtërohet Gruevski.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
“BDI nuk do ngre padi ndaj asnjë institucioni. Ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në shumë vende të tjera më të përparuara se Maqedonia. BDI nuk ka asnjë shqetësim mbi ndonjë zhvillim të brendshëm”
Ali Ahmeti , kryetar i BDI-së
“Nuk është e vërtetë se unë kam mbajtur anë, as në Bruksel, as në Shkup. Unë nuk kam dashur dhe këtë ua kam thënë shumë hapur edhe Gruevski dhe Zaev, nuk dua as që të poshtërohet kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Gruevski”
Koalicionin me VMRO-DPMNE-në Ahmeti dhe BDI tentuan ta shpëtojnë deri në çastet e fundit të afatit 20 ditor të mandatarit Nikolla Gruevski. Madje edhe në përfundim të këtij afati, BDI nuk refuzoi Gruevskin, por vetëm pati njoftuar se nuk ka vendim.
Arben Zeqiri /SHENJA/

