Mungesa e argumenteve dhe mos paraqitja e vërejtjeve në momentin e regjistrimit të tyre nga vëzhguesit, ishtë arsyetimi për refuzimin e pjesës më të madhe të ankesave të Lëvizjes Besa për Komunën e Çairit dhe Tetovës dhe të Aleancës për Shqiptarët për Komunën e Strugës. Me të njëjtin arsyetim shumica e anëtarëve të KSHZ-së refuzoi edhe kërkesat e anëtares së degeluar nga Lëvizja Besa, Ermira Hasani Salia, për të hapur kutitë e votimit në disa vendvotime në Çair ku kjo parti dyshonte se numri i fletëvotimeve të pavlefshme është më i lartë.
“Ne si KSHZ kemi edhe Rregullore për votat e pavlefshme dhe ato vota mund të jenë edhe nga parti të tjera, andaj unë propozoj që të shqyrtohen fletëvotimet në tre vendvotime”, deklaroi Ermira Asani Salia, anëtare e KSHZ-së.
“Gjatë shqyrtimit të gjithë procesverbaleve, fillimisht të gjitha ishin të nënshkruara nga të gjithë anëtarët e këshillave zgjedhor, në pjesën më të madhe ishin të nënshkruara nga një apo dy përfaqësues të partive politike BDI dhe BESA. Askund nuk gjetëm vërejtje e cila do të na çonte në këtë fakt që të kemi bazë përt të shqyrtuar gjithë materialin zgjedhor”, tha Aleksandër Çiçakovski, kryetar i KSHZ-së.
Me arsyetime të ngjashme u refuzuan edhe ankesat e koalicionit Aleanca për Shqiptarët, si dhe kërkesa e anëtares së Lëvizjes Besa në KSHZ për të thirrur anëtarët e këshillit zgjedhor nga një vendvotim në Strugë që të sqarojnë rrjedhën e votimit. Përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët në ankesat e tyre kanë konstatuar se në disa vendvotime në Strugë numri i fletëve të votimit nuk përputhet me numrin e votuesve të nënshkruar në listë. Po ashtu ankesat përmbanin edhe denoncime për agjitim, blerje të votave dhe votim në grupe. Por të gjitha ankesat u refuzuan me arsyetime të ngjashme se mungojnë argumente dhe se ankesat nuk janë bërë në kohë të duhur dhe sipas procedurës së paraparë ligjore. Pas vendimit të KSHZ-së partitë kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Administrative në rast se janë të pakënaqur me vendimet e KSHZ-së.
Arben Zeqiri /SHENJA/

