Në seancën e sotme konstituive të Këshillit të Qytetit të Shkupit u zgjodh kryetari i ri Këshillit. Me 26 vota, prej 44 këshilltarëve të pranishëm, Lubica Ançëva nga LSDM u zgjodh në krye të Këshillit. Ajo premtoi se do të jetë transparente në punën e saj, ndërsa nga opozita kërkoi që të jetë korrigjuese e punës së pozitës në këtë këshill.
“Seanca konstituive përfundoi. Anëtarët e Këshillit kanë dhënë deklarata zyrtare me të cilën u betuan se do të punojnë për të mirën e qytetarëve në pajtueshmëri me kushtetutën dhe do të kujdesen për të mirën e të gjithë neve”, deklaroi Lubica Ançeva, kryetare e Këshillit të Shkupit.
Ndërkohë, ish kryetarja e këshillit, Irena Misheva, njëherit koordinatore e grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, tha se kjo parti dhe koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” janë opozitë konstruktive e Qytetit të Shkupit. Ajo po ashtu tha se presin nga kryetari i ri i Qytetit të Shkupit që të përfundoj projektet e filluara, si dhe projektet që ka premtuar në fushatën zgjedhore.
“Ne si grupi i këshilltarëve në periudhën vijuese do të japim mbështetje të fuqishme për të gjitha projektet që janë me rëndësi vitale për qytetarët e qytetit të Shkupit. Por, edhe do të kundërshtojmë për çdo gjë që nuk është ligjore, revanshizëm dhe degradim i personave që janë në udhëheqësine e qytetit dhe ndërmarrjet publike”, u shpreh Irena Misheva, VMRO DPMNE.
Edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, premtoi se do të jetë i hapur në bashkëpunim me këshillin, si dhe i bëri thirrje opozitës që të kritikojë kur të vlerësojnë se është e nevojshme ajo.
“Pres që këshillit të jetë një vizion i ri për Shkupi, siç e kam thënë edhe gjatë zgjedhjeve. Mua si kryetar i Qytetit të Shkupit dhe njerëzve me të cilët do të bashkëpunoj do të më vijë jashtëzakonisht mirë nëse ju si këshilltar merrni pjesë aktive në atë rol sepse këtu jemi, para së gjithash,që të punojmë dhe të mbrojmë interesat e qytetarëve të Qytetit të Shkupit”, deklaroi Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Këshilli i ri i Qytetit të Shkupit ka gjithsej 45 anëtarë prej të cilëve, LSDM 21, VMRO DPMNE 17, BDI 3, Lëvizja Besa 2 ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe e Majta nga 1.
Teuta Buçi /SHENJA/

