Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se Qeveria ka përfunduar përgatitjen e teksteve të Kodit Penal dhe të Ligjit për Procedurën Penale, të cilat deri në fund të këtij muaji do t’i dërgohen Komisionit Evropian për mendim. Ai theksoi se bëhet fjalë për një proces që zgjat prej vitesh, ndërsa sipas tij, Qeveria aktuale ka arritur t’i përmbyllë të dy ligjet.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Unë dje pata takim me ministrin e Drejtësisë, një zëvendësues nga Ministria e Drejtësisë, anëtarë të kabinetit, përfaqësues të LSDM-së, si dhe anëtarë të grupit të punës. Të hënën ata do të mbajnë takim, në të cilin do të bëjnë “harmonizimin përfundimtar” të gjithçkaje që diskutuam dje. Nga Ministria e Çështjeve Evropiane na informuan se tekstet janë përkthyer. Do të korrigjohen ato pjesë që do të pësojnë ndryshime të hënën dhe pres që deri në fund të këtij muaji t’ia dërgojmë Komisionit Evropian për mendim dhe më pas të presim vlerësimin e tij”.
Ai tha se ligjet janë hartuar në përputhje me rekomandimet dhe standardet e Bashkimit Evropian. Numri një i qeverisë shprehu keqardhje që qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, siç u shpreh, në përpjekje për të siguruar amnisti politike në fund të mandatit të tyre, nën petkun e flamurit evropian, kanë “ndërhyrë në sistemin gjyqësor dhe e kanë ndryshuar Kodin Penal, duke fshirë nene”.
Samir Mustafa /SHENJA/



