Qeveria në vend ka vazhduar me publikimin e keqpërdorimit të mjeteve nga buxheti të kryera nga pushteti i kaluar. Së fundmi, zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, në konferencën e sotme për shtyp, ka shpalosur tre raste të reja për të cilat ka dyshime se Qeveria e kaluar, ka keqpërdorur qindra mijëra euro për furnizime specifike, tendera si dhe marrëveshje me të cilat, sipas Boshnjakovski, ka indikacione se është dëmtuar buxheti shtetëror. Zëdhënësi Boshnjakovski tha se në lidhje me këto raste, Qeveria ka kërkuar hetim nga Ministria e Punëve të Brendshme si dhe për fillimin e procedurës pranë Avokatit të Shtetit. Rasti i parë, për të cilin ka dyshim se ka dëmtuar buxhetin e shtetit, ka të bëjë me rezervimin e biletave të avionit nga ana e shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëtia në periudhën prej vitit 2014 deri 2017.
Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë
“Rasti i dytë, për të cilin është kërkuar hetim nga MPB dhe Avokati i Shtetit ka të bëjë me furnizim të dyshimtë të mallrave dhe shërbimeve nga ana e kompanisë Atrium për periudhën nga viti 2012 deri 2017 për Shoqatë Aksionare për menaxhimin e hapësirave afariste dhe banesave. Sipas dokumentacionit që posedojnë shërbimet e Qeverisë së RM-së, ka indikacione se janë përdorur çmime damping për mallra dhe shërbime për të cilat realisht është ditur se nuk do të sigurohen me qëllim kompania Atrium të jetë e ranguar më mirë në procedurën e tenderit dhe të sjellet në një pozicion më të pushtetshëm”.
Po ashtu, sipas tij, ka dyshime për keqpërdorim të buxhetit shtetëror për marrëveshjet për angazhimin e personave, Aleksandar Nikovski, Xhorxh Peri dhe Jehshua Shuki Glejtman, të cilët kanë qenë bashkëpunëtor të jashtëm të ish kryeministrit Gruevski, ndërsa në këto marrëveshje qëndron nënshkrimi i ish shefit të kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer.
Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë
“Sipas materialeve të publikuara, këshilltarei Nikovski ka marrë kompenzim mujor prej 3000 euro dhe në mënyrë plotësuese për shpenzimet e tij, shteti ka ndarë nga buxheti mbi 30 mijë euro për bileta avioni, shërbime hotelierike 23 mijë euro, për taksi dhe transport tjetër 5500 euro, për dhurata 2500 euro dhe 6000 euro për harxhime të tjera, me çka vetëm për Nikovskin, sipas dokumentacionit që posedon Qeveria, nga buxheti shtetëror janë ndarë 70.500 euro”.
Ai më tej ka shtuar se Nikovski ka marrë edhe 147 mijë euro kompenzim, me angazhimi i këshilltarit të Gruevski është paguar me 217 mijë e 490 euro nga paratë e shtetit.
Teuta Buçi /SHENJA/

