Lideri i Lëvizja Besa, njëheri kandidat i kësaj partie për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka akuzuar kryetaret aktuale të kësaj komune, Teuta Arifin se po keqpërdorë buxhetin e komunës për blerje votash. Ai tha se Arifi po shpenzon buxhetin e komunës për njerëz që i kryejnë shërbime personale asaj, siç thekson ai, duke shfrytëzuar linjën buxhetore të kontratave mbi vepër.
Bilall Kasami, Lëvizja Besa
]”Sipas informatave tashmë të publikuara nga organizata që monitorojnë komunën, 113.6 milionë denarë janë shpenzuar për kontrata mbi vepër (1 milion e 830 mijë euro), ndërsa e pushtuar nga paniku i humbjes tashmë vijnë informata se ajo nënshkruan dhjetëra kontrata të tilla të shërbimeve mbi vepër për periudhën pesë mujore, e të cilat në fakt janë shërbime që i ofrohen vetëm asaj, e jo qytetarëve të komunës”.
Kasami ka thënë se gjatë kësaj periudhe katërvjeçare të qeverisjes së saj të dështuar, u evidentuan harxhime marramendëse për shpenzimet e saj dhe stafit si dhe për punësime të personave me kontratë mbi vepër, kryesisht militantë partiak dhe grupe interesi.
Bilall Kasami, Lëvizja Besa
“Teuta Arifi bën shkelje të dyfishtë, jo vetëm duke keqpërdorur buxhetin komunal, por edhe duke shkelur kodin zgjedhor duke keqpërdorur mjetet e komunës, si dhe duke shfaqur tendencën që të korruptojë njerëz dhe të blejë votën. Me këtë rast pyesim publikisht, sa u kushtoi tetovarëve nga taksat e tyre një votë për këtë kryetare të dështuar? Sidomos kur këto punësime fiktive bëhen në kundërshtim të plotë me sistematizimin e vendeve të punës dhe në kundërshtim me cdo procedurë administrative”.
Ai po ashtu, u ka bërë thirrje organeve kompetente të hetojnë këto keqpërdorime të cilat, siç thotë ai, vazhdojnë gjatë katër viteve në Komunën e Tetovës, ndersa kanë arritur kulmin tani në këtë periudhë të zgjedhjeve ku buxheti i komunës është duke u keqpërdorur nga kryetarja aktuale, Teuta Arifi.
Teuta Buçi /SHENJA/

